Adil Xhelili: Të punojmë për bashkëqytetarët tanë e jo për politikën e qelbur të deritanishme
Nga Adil Xhelili
Mesazhi im për gjithë bashkëqytetarët e mi! Veçantërisht i drejtohem libohovitëve, njerëzve që të mirat e të këqijat i kemi ndarë bashkë. Të dashur miq! Të dielën më 14 maj ju do t’i drejtoheni kutive të votimit. Pas 8 vitesh bashki hermetike, me votën TUAJ keni mundësi të çelni për të gjithë dyert e një institucioni që deri më sot ju ka parë vetëm politikisht.
Me votën tuaj mund të bëjmë një Libohovë të jetueshme për të gjithë, ku njësoj si Pazari dhe Hoxhollara, Çaushlinjtë, Agallinjtë, Çupreli, Kalistaja, Marina, Loçani, Teqe-Mëhalla, Linoi, Baillua, Teqe-Fusha të kenë rrugë të pastra,mirëmbajtje, ndriçim, kanalizime.
Në këto lagje jemi rritur e jetojmë, meritojmë vëmendje e dinjitet e jo mospërfillje si deri më sot. Me votën TUAJ më 14 maj i jepni një mësim të mirë politikës përçarëse të partisë-shtet që vendos politikën mbi familjen, që vendos vëllain kundër vëllait, që kërkon të mbajë peng pushtetin vendor duke përdorur njerëzit me dosje hetimore, që shkel me këmbë çdo parim e çdo normë njerëzore veç për politikë.
Me votën TUAJ më 14 maj u tregoni ca lëpirsve të pushtetit që venë nga frynë era se koha e tyre ka mbaruar dhe nuk do të ketë më zvarranikë që enden netëve për vota për interes të tyre.
Me votën TUAJ mund të zgjidhni të jemi dinjitozë, të përkushtuar ndaj njerëzve e jo ndaj partisë, të punojmë për bashkëqytetarët tanë e jo për politikën e qelbur të deritanishme. Ju keni në dorë të bëni NDRYSHIMIN! Mos harroni JU dhe çdo nepravishnjot,zagorit, labovit, sujot, bulot, stegopulit:
Libohova u shpopullua e u varfërua falë këtyre pushtetarëve.
Nepravishta u la në harresë e pa asnjë investim.
Zagoria u la pa rrugë, drita, ujë e pa asnjë shërbim publik.
Suha mbeti peng i politikës dhe u tallën me të sa deshën.
Labova u zaptua nga ndërtime pa leje dhe u la pa rrugë lidhëse me Labovën e Sipërme.
Bulua mbeti njësoj pa shërbime si 10 vjet më parë.
Stegopuli i coptuar e i harruar.
NDAJ, për këto e shumë të tjera, ju ftoj të votoni masivisht të dielën më 14 maj për NDRYSHIMIN, është shansi i vetëm që keni në dorë, të bëjmë një kthesë të fortë në përmirësimin e jetës së familjeve tona. Unë besoj te gjykimi juaj dhe mençuria libohovite do të vulosë FITOREN më 14 maj. Krah më krah si gjithmonë! Bashkë Fitojmë!