Aksidenti/ PD sulmon drejtorin e Policisë Gjirokastër: Lejoi ekspertim të makinës pasi e nxori nga servisi

Pak pasi ne Ora News u publikua Video e një aksidenti të ndodhur pak ditë më parë pranë fshatit Krahës ku dyshohet se është përfshirë edhe Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Lorenc Paganika. Në pamje duket makina BMË X1 me ngjyrë të bardhë me targa AA 572 BF.

Pas kësaj ngjaerjeje ka reaguar dhe partia demokratike me anë të deputetit Enkeled Alibeaj. Përmes një njoftimi për mediat Alibeaj thekson se Policia ka kapitulluar, pasi jo vetëm që nuk mbron më qytetarët e vet, por është bërë palë me krimin, duke fshehur edhe krimet që kryen vetë.

Ja deklarata e Alibejat:

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër. Drejtori i Policisë, Lorenc Paganika ka aksidentuar një kalimtar në Memaliaj dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e nevojshme qytetarit, por tashmë po tenton të manipulojë ngjarjen. Fatmirësisht qytetari i aksidentuar është jashtë rrezikut për jetën.

Makina e tij pësoi dëmtime nga aksidenti por drejtori nxitoi që ta rregullojë, dhe ka lejuar ekspertimin nga grupi hetimor vetëm pasi makina ka dalë nga servisi, duke tentuar të mbyllë çështjen.

Kjo ngjarje, e gjitha e filmuar, tregon sjelljen e paprecedentë të kreut të policisë së një qarku. Sjellja e këtij kryepolici vërteton gjendjen e Policisë së Shtetit, ku shefat e saj janë mbi ligjin dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qindra oficerë të tjerë të ndershëm të Policisë së Shtetit.

Kjo është e vërteta. Policia ka kapitulluar përballë krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe nuk garanton dot sigurinë e qytetarëve. Ky është realiteti i qeverisë së Edi Ramës, me krimin që zotëron vendin, me drogën që blen zgjedhjet, me kryepolicë që nuk duan t’ia dinë për ligjin.

Ndërkohë mbrëmë në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Policisë Gjirokastër ka sqaruar se drejtori Lorenc Paganika nuk është i përfshirë në këtë ngjarje, duke shtuar se ai ka vënë në dizpozicion të hetimeve automjetin e tij.

Më poshtë video e publikuar nga Ora News ku shfaqet momenti i aksidentit pranë fshatit Krahës, Memaliaj.

/ArgjiroLajm.net/