Aksidenti tragjik në Gjirokastër, dëshmitari: Si ndodhi përplasja, ulërima e klithma

03Dëshmitarët në vendin e aksidentit të djeshëm në Gjirokastër ku humbi jetën nëna me fëmijën e vogël dhe familja kosovare humbi djalin 2-vjeç, kanë thënë se përplasja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dëgjuar në një rreze gati 300 metra.
Lelo Metaj, njëri prej dëshmitarëve që është gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes, rrëfen për gazetën “Panorama” atë çfarë ka ndodhur në orën 14:00 të së dielës. Sipas tij, goditja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dukur sikur ka shpërthyer ndonjë granatë difensive.

Madje, sipas Lelos, nga kurioziteti kanë dalë nga bazeni që shërben për t’u larë aty pranë vendit të ngjarjes të gjithë plazhistët.
“Ka qenë një katastrofë e vërtetë. Unë gjendesha këtu para pikës së furnizimit me karburant, sepse prisja një njeriun tim që të vinte e të më merrte nga këtej për në fshat lart (Mashkullorë). Kam qëndruar deri në momentin që ka ndodhur përplasja e madhe. Aty kam parë se çfarë është të drejtosh makinën siç e drejtoi ai djali makinën e zezë (autoveturën ‘Nissan’). Makina e vogël doli nga korsia e vet dhe u përplas me furgonin që, para se të ndodhte fatkeqësia, i binte borisë pa pushim. Ka qenë kjo bori që mua më tërhoqi vëmendjen dhe menduam se kushedi se çfarë kishte. Kur kam kthyer kokën, ndodhi përplasja”, thotë ai.

“Kam dëgjuar ulërima grash brenda në furgon dhe klithma therëse. Vetura bëri disa salto e përfundoi matanë rrugës, ndërsa furgoni me pasagjerë brenda është përmbysur dy herë dhe ka ardhur prapë në pikën fillestare”.