Aksidenti tragjik në Gjirokastër dhe vendimi skandaloz i gjyqtarit Tomor Shkreli. Familja Sinani nuk gjen drejtësi prej 9 vitesh (VIDEO)

Emisioni “Stop” është ndalur në qytetin e Gjirokastrës, ku në Tetorit të vitit 2009 një aksident shkaktoi dy viktima dhe njëkohësisht tragjedi në familjen Sinani. Taibe Sinani tregon se si bashkëshorti Agron Sinani, 56 vjeç dhe nipi Martin Duka, 8 vjeç, dolën për një xhiro me motor për të mos u kthyer më kurrë. Që atëherë e deri më sot familjarët janë endur dyerve të gjykatave për të vënë drejtësinë në vend. Por pas disa shkallëve të gjyqësorit dhe 4 ekspertizave, drejtuesi i automjetit që përpasi gjysh e nip, Taulant Boçi u shpall i pafajshëm.

“Ishte ora 19:30-20:00, kishte shkuar burri të merrte paratë që kishte punuar diku dhe kthehet në shtëpi. Djali, Martini e kishte kokën këtu tek ne. Nipi ishte 8 vjeç e rrinte këtu. Burri mbante një motor të vogël dhe djali i ishte lutur disa herë që t’i bënte një xhiro, por nuk e kishte marrë. Atë natë, kur u kthye në shtëpi burri, ia plotësoi dëshirën. E mori sikur i mori Zoti, fluturuan e s’u kthyen në shtëpi. Kur dëgjojmë në televizor që kishte ndodhur një aksident, neve na u bë hataja me dy persona. Burri ishte i ri, 56 vjeç, ndërsa djali 8 vjeç”. Sipas ekspertit të pavarur autoteknik, Bajram Pupleku, më 15.10.2009, rezultoi se automjeti i drejtuar nga Taulant Boci, për shkaqe të pashpjeguara qarkullonte në korsinë e gabuar, në atë të motorçikletës, çka e provojnë gjurmët e frenimit, pika e përplasjes, si dhe zvarritja e motorit. Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me këtë ekspert për konstatimet e tij në lidhje me këtë aksident.

“Mbështetur në 2 pika largimi nga vendgjarja, e cila rëndon. E dyta do të mbështeteni te skica e vendit të ngjarjes, parametrat, që ata kanë hedhur në pistën e vendit të ngjarjes. Tani unë e kam si përpara syve, meqë ma kujtove prapë, po të shikoj gjurmët e rrëshqitjes, kambalecit të motorit. Nga momenti, kur është goditur dhe deri në momentin, që ka lënë gjurmë në asfalt, ajo është edhe pika e goditjes.” Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Taulant Boci, për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, me 5 vjet e 6 muaj burgim. Më pas Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, duke e shpallur Taulant Bocin fajtor.

Ndërsa me vendimin e pakicës, kryesuesi i trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, Tomor Shkreli ishte i mendimit se i pandehuri nuk ka kryer asnjë shkelje të kërkesave ligjore të Kodit Rrugor, aq më tepër ato të përcaktuara nga organi i akuzës dhe si rrjedhojë vendosi më 17.01.2012 që duhet të deklarohet i pafajshëm. Nga ky vendim nisi të “ndryshojë” ngjarja e aksidentit. Pasi u bë përsëri rekurs në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit e ktheu sërish në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, duke i përcaktuar disa detyra. “Nuk është bërë asnjë gjë nga detyrat e Gjykatës së Lartë dhe nuk është thënë asnjë gjë konkrete, janë thënë vetëm gjëra sikur ka folur vetë i pandehuri, i ka shkruar i pandehuri dhe në fund kanë vënë emrat 3 ekspertë”, shprehet Enkeleda Sinani. Në akt ekspertimin e dytë, të kryer nga Artur Sulçe dhe Evald Jaho, më 10.09.2011, është ndryshuar drejtimi i automjetit, duke zhdukur gjurmët e frenimit. Emisioni “Stop” shfaq ballafaqimin e denoncueses me ekspertët e akt-ekspertimeve. Për më shumë shihni videon e transmetuar në ‘Stop’.