Aksidentohet autobusi, 31 të plagosur në spitalin e Gjirokastrës
Një aksident me pasojë dhjetëra të plagosur është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Autobusi me targa Tr 5631 me 41 pasagjerë i linjës Tiranë -Athinë është aksidentuar rreth orës 04:40të mëngjesit, teksa po kthehej nga Greqia.
Shoferi i mjetit I.F., 50 vjeç ka humbur kontrollin e autobusit dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore dhe më pas është përmbysur.
Sipas informacioneve policore raportohet për 28 persona të plagosur, ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç, janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës ku po marrin edhe ndihmën e nevojshme mjekësore.
Roland Karalli, kirurgu i spitalit të Gjirokastrës deklaroi se asnjë nga të plagosurit në aksidentin që ndodhi tek Uji i Ftohtë mëngjesin e sotëm nuk është në rrezik për jetën.
Pasagjerët nga ana tjetër kanë treguar tmerrin që kaluan, rrezikun që u erdhi nga përplasja e autobusit me bordurën anësore të rrugës, kthimin e mjetit përmbys dhe copat e xhamave që u binin.
Shkaku i aksidentit dyshohet të ketë qenë lagështia në rrugë dhe shpejtësia. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.