Aksidentohet kryebashkiaku i Këlcyrës, dërgohet me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës

Kryebashkiaku i Këlcyrës, Klement Ndoni është aksidentuar gjatë natës së kaluar. Ngjarja ndodhi teksa ai ishte duke u kthyer me automjetin e tij nga një takim në një prej fshatrave të njësisë administrative Ballaban.

Mësohet se Ndoni ka humbur kontrollin e automjetit duke u përplasur me bordurën anësore dhe më pas ka dalë nga rruga. Bashkë me të në automjet ishin edhe dy persona të tjerë; Skënder Seferi dhe Hodjan Selmani, ky i fundit kryetar i PS-së në Këlcyrë.

Me plagë më të rënda është kryebashkiaku Klement Ndoni, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të plagosur lehtë janë dy personat e tjerë. Ata janë dërguar gjatë natës për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal ‘Omer Nishani’ të Gjirokastrës. Mësohet se Ndoni ka dëmtim të konsiderueshëm të njërit krah.

Ai po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve të Gjirokastrës, teksa po shqyrtohet mundësia edhe për dërgimin e tij drejt Janinës për mjekim më të specializuar. Rrethanat e ngjarjes nuk dihen ende, ndërsa Policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet për rastin.