Aktivistët riciklojnë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar

tapat-300x179Të ardhurat grumbullohen nga mbledhja dhe riciklimi i materialeve plastikë, kryesisht tapave plastike.

Çmimi i një karrigeje me rrota shkon nga $200-$400, ndërsa numri i njerëzve në nevojë për një karrige të tillë arrin deri në 800; shifër kjo e cila kërkon impenjim maksimal nga organizatorët e kësaj sipërmarrje dhe jo vetëm, pasi për koston e një karrigeje nevojiten 250 kg tapa plastike.

Derand Krasniqi, drejtuesi i këtij projekti nga Organizata e Sensibilizimit Rinor, thotë se aktori në rolin kryesor është publiku. Vetëm pasi ai të ndërgjegjësohet për synimin e nismës sonë, kontributi do të jetë më i madh.

“Është e rëndësishme që të bëhen sa më shumë prezantime,” tha ai. “Njerëzit duhet të jenë të qartë për çfarë po ndodh, pasi nuk kanë qenë të paktë dhe skeptikët që na kanë thënë ‘ju i vidhni tapat për vete’,” shtoi Krasniqi.

Vetë grumbullimi i veçuar i mbeturinave plastike përbën një domosdoshmëri për një mjedis më të pastër dhe të sigurtë.

Dy vjet pas fillimit, Albania Cap Project (Projekti i Mbledhjes së Tapave) deri më sot ka grumbulluar rreth 8,000 kilogramë kapakë plastikë dhe ka arritur të shpërndajë 4 karrige me rrota. Në muajt në vazhdim pritet mbërritja në Shqipëri e 30 karrigeve të tjera me rrota, që do të lehtësojnë lëvizjen e personave të tjerë me aftësi të kufizuar.

Aktivistët mjedisorë mendojnë se edukimi i brezit të ri me dashurinë për mjedisin që na rrethon është pikënisja e ndryshimit. Mënyrat e pjesëmarrjes në këtë bashkësi ndihmesë janë nga më të ndryshmet.

Ky rezultat i adresohet punës së 280 vullnetarëve aktivë në qytete si Tiranë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Durrës dhe më tej. Një ndihmesë e madhe është dhënë nga biznese apo individë të ndryshëm që kanë dorëzuar pranë Albania Cap Project sasi të konsiderueshme kapakësh.

Me mbështetjen e Vodafone Foundation, Albania Cap Project ka qenë fitues i i çmimit ‘Ëorld of Difference’ si dhe është shpallur ‘kampion i muajit mars’ në iniciativën Act Noë, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Prezantimi i fundit i këtij projekti u zhvillua javën e kaluar, brenda hapësirës së një tjetër iniciative ndërkombëtare që së fundmi ka ardhur dhe në Shqipëri, e quajtur Green Drinks.

Kjo iniciativë, e filluar prej më se katër vitesh, fillimisht në Kosovë, u jep personave të interesuar në çështjet mjedisore një mundësi që të mblidhen çdo muaj (në të enjten e fundit) për të ndarë me njëri tjetrin ide dhe për të fituar përvoja të reja./Reporter