Akuzat për tendera, kryebashkiakja Mandi: Shpifje nga ata që dje “ranë nga kali”
Kryebashkiakja e Libohovs, Luiza Mandi ka bërë së fundmi një reagim lidhur me ato që ajo i quan sulme dhe akuza të hedhura këto ditë në rrjetet sociale për disa tendera me vlerë të vogël që ka bërë Bashkia Libohovë.
Sipas saj këto janë sulme të qëllimta nga njerëz që në mënyrë anonime flasin në emër të Partisë Demokratike në Libohovë dhe kanë si synim të shpifin dhe hedhin baltë ndaj institucionit që ajo përfaqëson.
Në reagimin e saj të gjatë në Facebook, kryebashkiakja sqaron si është proceduar në rastin e tenderit për dekorimin e Libohovës apo hidroizolimin e tarracës së Bashkisë. Lexoni më poshtë reagimin e saj të plotë.
Të nderuar miq,
Ditët e fundit në rrjetet sociale janë bërë një seri sulmesh e akuzash ndaj Bashkisë Libohovë dhe ndaj meje personalisht, për disa punë dhe shërbime publike të tenderuara nga institucioni që unë drejtoj. Shënimet gjysmake dhe plot të pavërteta janë shpërndarë nga një faqe që pretendon se përfaqëson Partinë Demokratike në Libohovë. Mund ta përfaqësojë realisht, por kur dikush flet në emër të saj, së pari duhet të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi për ato që thotë, sikundër unë mbaj përgjegjësi për gjërat që them e bëj në krye të Bashkisë Libohovë.
Megjithatë, më shumë në respekt të qytetarëve të Bashkisë Libohovë sesa të anonimëve që nuk i lënë dot sherrnajat, mëritë e akuzat as në muaj festash, po jap sqarimin tim rreth çështjeve për të cilat hidhen këto akuza si fletë-rrufetë e dikurshme.
Tenderimi i punëve dhe shërbimeve është një procedurë transparente që kryhet online në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike, ku askush nuk mund të ndërhyjë për të përcaktuar kompanitë fituese. Pasi ne shpallim ofertën, kompanitë e interesuara aplikojnë dhe ofertuesi që paraqit vlerën më të vogël renditet i pari. Më pas, konform gjithë dokumentacionit dhe kërkesave ligjore bëhet tenderimi i punës.
Konkretisht për tenderin e dekorimit të qendrës së Libohovës me rastin e festave të fundvitit, patjetër që kemi vënë një fond më shumë në dispozicion se vitet e shkuara, sepse duam që të bëjmë një dekor ndryshe, përfshi edhe një pemë modeste Krishtlindjesh dhe disa aksesorë të tjerë. Ky nuk është një investim për vetëm këtë vit, por një pjesë e dekorit do të përdoret edhe për vitet e ardhshme.
Për fat të keq, akuzuesit e sotëm që flasin në emër të PD Libohovë dhe bëjnë si të tronditur nga shuma prej 3 milionë lekë të vjetra që ne kemi vendosur të shpenzojmë për dekorin, janë ata që deri dje shpenzonin 700 mijë lekë për “uniforma të policisë bashkiake” edhe pse kishin të punësuar vetëm një polic. Janë ata që tenderonin me prokurim të drejtpërdrejtë dhjetra punë publike në Libohovë. Janë ata që i kanë emrat në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit si abuzues me fondet publike. Megjithatë me këto duhet të merren organet përkatëse të hetimit.
Ndoshta për akuzuesit dëshira do ishte të mos bënim fare dekorim, por pavarësisht mundësive të kufizuara financiare të Bashkisë, ne do t’i japim qytetit atmosferë festive siç ndodh gjithandej.
Akuzojnë se tenderin prej 3 milionë lekësh të vjetra për dekorimin e ka fituar kompania që në vitet 2013-2014 kryente pastrimin e mbetjeve urbane në Libohovë. Dhe sipas akuzuesve të regjur kjo kompani nuk ka shlyer rrogat e punëtorëve. Por këta harrojnë me dashje se këtë kompani në Libohovë nuk e solla unë, sepse atë kohë isha thjesht një mjeke, jo kryebashkiake. E sollën ata që sot hedhin akuza. E në qoftë që kjo kompani nuk ishte korrekte në shlyerjen e pagesave ndaj punëtorëve, përse nuk e kontrollonte Bashkia Libohovë në ato vite? Ishte detyra e Bashkisë ta monitoronte punën e kësaj kompanie.
Kompania në fjalë ka marrë pjesë në tenderin shpallur publikisht në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike bashkë me kompani të tjera, dhe konform çdo procedure ka dalë fituese. Natyrisht që është një kompani e cila ofron disa shërbime, përfshi këtu edhe dokorin, për të cilin ne kishim shpallur tenderin. Gjithë procedurat janë transparente dhe lehtësisht të verifikueshme në faqen në internet të APP-së. Por akuzuesit qëllimisht, por edhe nga nga mosdija, i interpretojnë gabim faktet dhe rregullat.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe në rastin e tenderit për hidroizolimin e tarracës së godinës ku është vendosur Bashkia Libohovë. I gjithë procesi është transparent në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike. Natyrisht që akuzuesit dhe shpifësit preferojnë ta shohin Bashkinë Libohovë, ashtu siç unë e gjeta para disa muajsh; plot lagështi, mure me myk, suva të rëna e dyer të shkatërruara. Por pak nga pak, me fondet e kufizuara që kemi, do ia ndryshojmë pamjen këtij institucioni.
Në fund dua të garantoj të gjithë qytetarët e Bashkisë Libohovë se besimi që më dhanë me votë do të shndërrohet në punë dhe ndryshime konkrete. Sigurisht që nuk lëkundemi nga akuzat dhe shpifjet e ulëta të atyre që dje “ranë nga kali” dhe tani bëjnë gjithçka si e si ta përbaltin personin tim dhe punën e Bashkisë Libohovë. Unë mirëpres çdo kritikë dhe mendim ndryshe për punën time, por shpifjet e dhe akuzat e pavenda thjesht “për hir të të bërit opozitë”, nuk i duhen Libohovës dhe thjesht sa ndotin hapësirën në internet. Nëse jeni të bindur në ato që thoni i çoni akuzat në organet përkatëse dhe le të vendosë drejtësia.
Të shpifësh dhe hedhësh baltë në Facebook, për më tepër në mënyrë anonime, nuk është se iu nderon as juve dhe as partinë në emër të së cilës flisni.