Arrestohet Guvernatori Fullani

ardian-fullani-300x233Ajo që pakkush e priste, ndodhi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është vënë në pranga.

Ai është arrestuar duke dalë nga selia provizore e Bankës së Shqipërisë, pranë sheshit “Avni Rustemi”. Fullani është arrestuar rreth orës 19.45.

Fullani akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim të detyrës për skandalin e vjedhjes së mbi 7 milionë dollarëve.

Urdhri për arrestimin është dhënë nga prokuroria dhe është konfirmuar nga Gjykata e Tiranës, konkretisht gjykatësja Blerina Muça.

Prokuroria së fundi e kishte përshpejtuar procesin hetimor, ku prokurori Ramadan Troci ishte ai që çeli këtë proces proçedurial me marrjen në pyetje të ish-inspektores së përgjithshme përgjatë 2006-2011, Teuta Baleta.

Me urdhër të gjykatës është arrestuar edhe inspektorja e Përgjithshme e Bankës Qendrore Elivar Golemi, e cila gjithashtu akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas prokurorisë nga hetimet ka rezultuar se dy zyrtarët e lartë për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë. Znj.Golemi përgjatë javës së fundit refuzoi dy herë komisionin e Ekonomisë, për të dhënë shpjegime lidhur me skandalin.

Me prangosjen e Fullanit dhe Golemit, shkon në 19 numri i personave të dyshuar për skandalin e vjedhjes.

Në fillim u vu në pranga Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, pasi dyshoheshin pas abuzime financiare, i pari i vetëdenoncuar për ngjarjen.

Një javë më vonë Prokuroria urdhëroi arrestimin e ish-drejtorit të Thesarit, Dorian Çollaku dhe gjashtë ish-vartësve të tij, si dhe nipit të Ardian Bitrajt, Klevis Bejtaj.

Prapa hekurave përfunduan dhe punonjës të Bankës së Shqipërisë anëtarë të Komisionit të Inventarizimit, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk zbuluan vjedhjen e milionave, edhe pse e bënë inventar dy vite me radhë. Katër prej tyre u lanë në arrest shtëpie nga gjykata, ndërsa një tjetër në gjendje të lirë.

Fullani do të mësojë të hënën masën e arrestit, kur të dalë para një trupi gjykues. Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, pas Fullanit drejtimi të paktën provizorisht i kalon zv.guvernatores së parë Elisabeta Gjoni.