Arsimi parauniversitar, brenda dhjetorit rrafshohet sistemi. Largohen mësuesit e paaftë

ramaj.peg_-400x194Kryeministri i vendit, Edi Rama, duke folur gjatë prezantimit të raportit të inspektimit në arsimin parauniversitar, ka deklaruar se deri në fund të muajit dhjetor ky sistem “do të rrafshohet”, duke i lënë vend një sistemi të ri.

Z.Rama tha se me këtë sistem luhet me fatin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe një gjenerate të tërë. “Nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, por sistemi që i korrupton njerëzit. Ne do të përmbysim urgjentisht këtë sistem dhe do të marrim përsipër që brenda muajit dhjetor ky sistem të jetë përtokë, i rrafshuar tërësisht në pikën që asnjë mësues pa arsimin përkatës, jashtë profilit të mos mund t’i marrë më shtetit përmes taksave asnjë rrogë duke filluar nga janari i ardhshëm. Ne mund ta bëjmë këtë gjë”, – është shprehur kreu i qeverisë.

Z.Rama vlerësoi se rezultatet e nxjerra nga inspektimi në arsimin parauniversitar janë “alarmante dhe turpëruese” për shoqërinë tonë dhe se “na vendosin përpara një përgjegjësie të plotë dhe të madhe”.

“Kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim rrënjësor të vendit dhe të mos lejojmë zgjatimin e mëtejshëm të së shkuarës si plagë dhe si pasojë. Sot jemi në fazën kur reforma në arsim ka hyrë në një proces pa kthim dhe duhet të thellohet duke vazhduar të prekë plagë që janë infektuar. Klientelizmi politik dhe korrupsioni duhen goditur. Është një krim i ftohtë nga i cili kemi përgjegjësinë ta ndajmë sistemin arsimor”, – tha Kryeministri Edi Rama.

Ai shtoi se pa reformuar rrënjësisht dhe pa operuar deri në metastazën e fundit “kancerin” në sistemin arsimor, kjo reformë nuk ka asnjë vlerë.

Kryeministri u shpreh se problemi është në rrënjë dhe se qeveria ka qenë e vetëdijshme se ky është vetëm fillimi i një procesi që i duhet shkuar deri në fund.

“Ka përputhshmëri fatale mes mungesës së zhvillimit ekonomiko-social dhe cilësisë së burimeve njerëzore në arsim. Nuk mund të ecim më tutje duke i besuar një ritmi hap pas hapi, por duhet të vrapojmë. Operacioni duhet të bëhet radikal pa kompromis dhe mëshirë. Luhet fati i të ardhmes së fëmijëve tanë, i Shqipërisë dhe i një gjenerate të tërë”, – tha ndër të tjera Z. Rama.

Duke u shprehur se po bëhen 30 vjet që jemi ndarë nga një sistem tjetër, kryeministri tha se “edhe kemi ngelur peng i një sistemi të deformuar duke menduar për pushtetin, kohëzgjatjen e tij dhe karrigen në kurriz të të ardhmes, të vendit dhe të njëri-tjetrit”.