Barcelona-Juventus, sonte nata e finales së madhe

finaljaPasi kaluan me sukses plot 12 ndeshje Barcelona dhe Juventus përballen sot ndërmjet tyre në pengesën e fundit të edicionit të 60 të kompeticionit më të lavdishëm në rang klubesh. Privilegjin për të pritur finalen e madhe të sezonit 2014-15 në Champions League do ta ketë Stadiumi Olympiastadion i Berlinit, që do të shndërrohet njëkohësisht edhe në skenën ku do të luhet akti përmbyllës i sezonit për këto dy klube të famshëm në kontinent, që të dy në kërkim të kompletimit të treshes së famshme. Të dy ekipet paraqiten në Kryeqytetin e Gjermanisë pas një ecurie të shkëlqyer, por nëse Barca kërkon të përsërisë suksesin e sezonit 2008-09 për Juventusin bëhet fjalë për një sukses historik dhe të paimagjinueshëm në fillim të këtij edicioni, të cilin për më tepër e filloi jo me trajnerin aktual por me Antonio Conte-n në drejtim.

Bardhezinjtë vazhdojnë të dominojnë në Serie A duke siguruar titullin e katërt radhazi, madje të dytin rresht në kampionatin italian me diferencë të njëjtë, plot 17 pikë kundrejt Romës, ndërsa në vazhdim “Zonja e Vjetër” koleksionoi edhe kupën, që i mungonte prej dy dekadash, sidoqoftë kulmi i sezonit mbetet në mënyrë të padiskutueshme eliminimi i kampionëve në fuqi të Realit të Madridit në gjysmëfinale, për më tepër brenda në mitikun Santiago Bernabeu. Në krahun tjetër skuadra katalanase pasi gjunjëzoi rivalët madrilenë në Primera Division fitoi gjithashtu edhe Kupën e Spanjës duke thyer ekipin e Athletic Bilbaos në finale, megjithatë për të ardhur deri në këtë pikë bën përshtypje lehtësia me të cilën skuadra blaugrana eliminoi Bajernin e Mynihut, që drejtohej pikërisht nga një emër i skalitur mirë në historinë e Barcës si Pep Guardiola.

Barcelona merr pjesë për herë të tetë në një finale të këtij aktiviteti me një bilanc katër fitore dhe tre humbje, sidoqoftë suksesi i fundit është regjistruar katër vjet më parë ndaj Manchester United, në Wembley, pikërisht stadiumin ku 23 vjet më parë mundi një ekip italian si Sampdoria në finale. Nëse klubi katalanas kërkon titullin e katërt në Champions brenda dekadës së fundit për bardhezinjtë gjërat ndryshojnë ndjeshëm pasi “zonja e vjetër” mungon në një event të tillë që nga viti 2003, që nga finalja në Old Trafford kur u mund me 11-metërsh nga Milani i Ancelotti-t. Në rast disfate klubi torinez mund të vendosë një rekord negativ duke u bërë i pari ekip që humbet 6 finale në këtë kompeticion, pasi deri këtu e ndan këtë vend me dy skuadra të famshme si Benfica dhe Bayern. Ekipi blaugrana ka fituar tre finalet e fundit, madje në skuadrën blaugrana figurojnë ende plot nëntë futbollistë nga finalja e vitit 2011, ndërsa në anën tjetër vetëm kapiteni Gigi Buffon që do të luajë ndeshjen e tij të 901 kompetitive vazhdon të luajë nga ekipi që u mund me penallti nga Milani, ndeshje ku gjithsesi Pirlo fitoi trofeun me kuqezinjtë.

Pavarësisht dëmtimit të një jave më parë në kupë Andres Iniesta është stërvitur rregullisht e pritet që të luajë nga minuta e parë, kështu që trajneri Luis Enrique do të ketë në dispozicion më të mirët për këtë takim. 45-vjecari asturian do të rreshtojë po të njëjtin formacion si edhe në finale me skuadrën baske, takim ku Leo Messi shënoi një gol të jashtëzakonshëm. Në fakt Leo ka realizuar 7 gola në pesë përballjet e fundit me skuadrat italiane dhe në këtë edicion numëron plot 58 gola gjithsej. Bashkë me dyshen Neymar – Suarez treshja e Barcelonës krenohet me plot 120 gola të shënuar në këtë sezon në të gjithë kompeticionet, dy më tepër se trioja e famshme e Realit Ronaldo – Benzema – Higuain në edicionin 2011-12, ndërkaq nëse triumfon në Berlin Andres Iniesta do të barazohet me Clarence Seedorf që është i vetmi futbollist deri më tani që ka arritur të fitojë katër Champions.

Përsa i përket Juventusit trajneri Massimiliano Allegri pritet të luajë me skemën 4-2-3-1, me Andrea Barzagli-n në vend të qendërmbrojtësit Giorgio Chiellini, i cili u dëmtua në stërvitje ditën e mërkurë, ndërsa Vidal si zakonisht do të luajë pas shpinës së dyshes sulmuese Tevez – Morata. Bardhezinjtë përballen për herë të tretë në këtë sezon me skuadra spanjolle dhe “zonja e vjetër” paraqitet në finale pas 9 ndeshjesh pa humbje, pesë prej të cilave pa pësuar as gol. Për dyshen Pirlo – Buffon bëhet fjalë për një rikthim në stadiumin ku Italia në vitin 2006 siguroi titullin e katërt botëror, ndërsa Barzagli ishte në stol, gjithsesi për dirigjentin 36-vjecar ky takim mund të jetë i fundit në Evropë, pasi me shumë gjasa do të zhvendoset në Shtetet e Bashkuara në radhët e ekipit New York City.

Ka plot 12 vjet që këto dy skuadra nuk ndeshen ndërmjet tyre, që nga viti 2003 kur një gol i sulmuesit uruguajan Marcelo Zalayeta 6′ para ekzekutimit të penalltive i dha kualifikimin për në gjysmëfinale klubit torinez, brenda në Camp Nou, duel ku Luis Enrique dhe Xavi ishin në fushë, madje trajneri asturian në ndeshjen e kthimit mbante shiritin e kapitenit. Ky është takimi i shtatë në histori dhe bilanci është krejtësisht i barabartë me nga 2 fitore për secilën skuadër sidoqoftë bardhezinjtë kërkojnë trofeun e tretë në këtë kompeticion pikërisht në 30-vjetorin e fitimit të Kupës së kampioneve në Heysel, ndaj Liverpulit. Messi që është golashënuesi më i mirë në historinë e këtij aktiviteti me 77 gola kryeson me 10 gola së bashku me Cristiano Ronaldon edicionin e sivjetshëm, ndërsa Neymar dhe Suarez numërojnë respektivisht nga 9 dhe 6 gola secili, ndërkaq Carlos Tevez me 7 golat e tij është futbollisti më i rrezikshëm në radhët e Juves, gjithsesi nëse shënon sërish atëherë Leo Messi do të bëhet i pari lojtar që realizon në tre finale të Champions League, pas golave të shënuar në finale në vitet 2009 e 2011.

Si futbollist Luis Enrique në karrierën e tij është eliminuar dy herë nga bardhezinjtë, si me fanellën e Barcës ashtu edhe me Realin, ndërsa në krahun tjetër Massimiliano Allegri ka një bilanc tepër negativ me klubin blaugrana, me vetëm 1 fitore, atë 2-0 në San Siro me Milanin dhe plot katër humbje, në tetë ndeshje gjithsej. Në fund Berlini do të jetë qyteti i katërt gjerman që pret një finale të tillë, pas Mynihut, Gelsenkirshenit dhe Shtutgartit dhe privilegjin për të gjykuar ndeshjen përmbyllëse të sezonit do ta ketë 38-vjecari nga Turqia Cuneyt Cakir./Supersport