Basha hap fushatën në Tepelenë, thumbon kundërshtarët në PD

Lulzim Basha është i bindur se listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 qershorit janë e vetmja rrugë për të ecur përpara.

Duke kujtuar domethënien e “Republikës së Re”, Basha deklaroi nga Tepelena se ndryshimi nis brenda PD-së.

“E kam nisur me ndryshimin brenda shtëpisë sonë, brenda PD-së. Vendimi është marrë, presja nuk luan. Ky është vendimi i duhur.” – u shpreh Basha.

Pavarësisht kritikave të ashpra të Jozefina Topallit dhe Arben Imamit se PD është në një pozitë të disfavorshme, dhe përgjegjës për këtë është Lulzim Basha, për këtë të fundit Partia Demokratike është më e bashkuar se kurrë.

“Ecim përpara me një PD të rinuar, të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.” – deklaroi Basha.

Pa përmendur emra, lideri i opozitës thumboi kundërshtarët e tij në Partinë Demokratike.

“Qëllimi i një partie politike nuk është të kthehet në strehë për disa persona. Qarkullimi i elitave është kyç për demokracitë e përparuara.” – deklaroi Basha, duke nënkuptuar se Topalli, Imami dhe jo vetëm e shohin PD-në si ‘strehë’.

Kryedemokrati tregoi çfarë procesi e pret Partinë Demokratike.

“Ripërtëritja e PD do jetë cikël i pashkëputur, i pandërprerë.”

Lulzim Basha tregoi edhe ‘kriterin’ që ndoqi për të hartuar listat e kandidatëve.

“Sdo ketë kat të fundit për elitën që ka kolltuqe të sigurta pavarësisht se çfarë bëjnë. Do ketë vetëm njohje të kontributeve dhe performancës. Jam krenar për vendimin që kam marrë.”