Basha i dorëzon Gjirokastrën Vangjel Dules, pritet vetëm konfirmimi nëse ai pranon ofertën

Kreu i PD-së Lulzim Basha vijon negociatat me aleatët e tij, parlamentarë ose jo, në një përpjekje për t’i bindur që mos regjistrohen si subjekte më vete në zgjedhjet e 25 qershorit.

Mësohet se PD është e gatshme t’i ofrojë deri në dy deputetë për PAA-në, PR-në dhe nga 1 deputet për PDK-në dhe PBDNJ-në. Sa i përket kësaj të fundit, Basha i garanton Vangjel Dules një deputet në listën e sigurt të qarkut Gjirokastër.

E nëse kjo ofertë pranohet, atëhere lista demokratëve në qarkun Gjirokastër do të kryesohet nga një kandidat i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, parti e minoritet grek në Shqipëri.

Nuk dihet nëse do të jetë vetë kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule,  që do të kandidojë apo ndonjë emër tjetër.

Partia Demokratike e ka pothuajse të pamundur të marrë dy mandate në qarkun Gjirokastër, kështu që emri i parë në listë duhet të jetë një kandidaturë përbashkuese e klaneve të së djathtës në këtë qark. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë brenda 48 orëve të ardhshme kur do të zyrtarizohen listat e PD-së.

/ArgjiroLajm.net/