Bashkia Gjirokastër s’ka lekë për rrugën e fshatit Valare. Rrezikohet jeta e fëmijëve. Banorët ankohen te ‘Fiks Fare’

Banorët e fshatit Valare në Gjirokastër kanë frikë të çojnë fëmijët e tyre në shkollë pasi rruga ku ata kalojnë është jashtë çdo standarti. Ajo ka mungesë totale të sinjalistikës dhe trotuarëve. Jeta e fëmijëve që ndjekin shkollën 9-të vjeçare “Petro Poga” rrezikohet çdo ditë pasi ky aks rrugor duke shërbyer si një rrugë nacionale që lidh Gjirokastrën me zonën e Lunxhërisë përshkohet nga shumë automjete, fëmijët ndodhur në kushtet e një rruge pa standarte mund të bëhen burim aksidenti. Një tjetër problem është edhe vendosja e disa staneve afër kësaj zone. Qentë që ruajnë këto të fundit shpesh herë kanë sulmuar banorët dhe fëmijët teksa kalojnë në rrugë.

Një vit më parë banorëve ju siguronte automjetin Bashkia, por këtë vit ju është hequr pasi në bazë të ligjit nuk e përfitojnë pasi distanca nuk i kalon 2 km. Banorët kërkojnë të rregullohet ky aks rrugor ose bashkia t’ju vendosë një automjet të cilin t’ja u paguajë pasi ata nuk kanë mundësi ekonomike.”

Kjo është rruga që bëjmë çdo ditë më fëmijët. Shiheni si është pa trotuarë e ngushtë, makinat kalojnë pasi është një aks që lidh shumë fshatra. Deri vjet na paguante bashkia një furgon, por këtë vit na i hoqën pasi nuk e përfitojmë. Dakord, por problemi mbetet që ne në këtë rrugë s’mund ti lëmë pasi ju e shihin vetë si kalojnë automjetet këtu dhe ska as trotuarë asgjë” thotë një nga banoret. Një tjetër zonjë shprehet se problem mbeten edhe qentë e stanëve përreth të cilët shpesh herë i janë sulur banorëve dhe fëmijëve.” Shumë herë jemi kthyer nga rruga, na kanë sulmuar qentë e stanëve” shprehet ajo.

Fiks Fare i është drejtur Bashkisë së Gjirokastrës për të marrë një përgjigje zyrate nga ky institucion i cili prej një viti nuk po i jep zgjidhje problemit të këtyre banorëve. Drejtori i Urbanistikës Ilir Çumaku premtoi se do të hartohet sëshpejti një projekt për të rregulluar këtë rrugë duke i dhënë standartet e duhura. “Po është një rrugë e vështirë e di që është rrugë rurale dhe që kalojnë shumë automjete, në fakt ne nuk kemi marrë ndonjë masë konkrete por do e shohim pasi është problem për këta banorë. Atyre me ligj nuk ju takon automjet pasi është brenda 2 km, megjithatë ne do bëjmë një projekt dhe më pas të shohim mundësinë për ta futur në buxhetin e vitit që vjen” u shpreh ai./tch