Bashkia Libohovë investon në rikonstruksionin e rrugëve të brendshme (FOTO)

Me financim nga buxheti i saj Bashkia Libohovë ka kryer së fundi disa ndërhyrje në rrugë të brendshme të Libohovës.

Kryebashkiakja Luiza Mandi thotë se janë rikonstruktuar segmente të amortizuara ndër vite, por edhe rrugë në të cilët nuk është vënë dorë asnjëherë më parë, siç është rasti i rrugës në lagjen “Linua”.

Shtresa betoni janë hedhur edhe në rrugë të Nepravishtës e Drinos, si dhe është rindërtuar muri mbrojtës në rrugën pranë Kalasë.

“Investime të tilla, ndoshta në dukje janë të vogla apo modeste, por realisht ndikojnë shumë në jetën e përditshme të atyre që i përdorin këto rrugë, duke lehtësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve. Dëshiroj të falenderoj këtu kompaninë dhe punëtorët që realizuan në kohë punimet. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në çdo lagje dhe fshat të Libohovës është një ndër prioritetet e punës time si kryebashkiake. Në vijim do të kemi të tjera investime të rëndësishme. E kam thënë që prej fillimit se fjala ime është puna dhe për aq kohë sa të jem në këtë detyrë do të bëj të gjitha përpjekjet për ta bërë Libohovën një vend më të mirë për të jetuar, një vend me më shumë perspektivë”, shkruan në Facebook kryebashkiakja Luiza Mandi, teksa publikon edhe disa foto nga punimet në rrugë.

031207002091301005