Bashkia Libohovë: Restaurimi i kalasë, projektet të mos flenë në sirtaret e ministrisë

kalajaNdërkohë që sot është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, përmes një postimi në Facebook, Bashkia Libohovë shpreh shqetësimin për gjendjen e kalasë së qytetit, duke shpresuar se projektet restauruese për këtë monument, “të mos flenë sirtareve të zyrave në Ministrinë e Kulturës”.

Më tej përmendet fakti se ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është me origjinë nga Libohova, ç’ka krijon premisë për lëvrim fondesh. Fotografia që shihni është shkrepur këtë verë, por në fakt rrëzimi i shkallëve që shërbenin për t’u ngjitur mbi bedena, ka rreth 3 vjet që ka ndodhur dhe askush s’u kujtua të vënte dorë. Asokohe ky problem është ngritur në mediat sociale, por ra në vesh të shurdhët. As Drejtoria e Kulturës Kombëtare nuk u kujtua, as bashkia. Ndoshta prioritet ishin në investime të tjera. Sot situata është po e njëjta. Veç shkallëve të rrëzuara, kalaja ka nevojë edhe për ndërhyrje restauruese në pjesë të tjera. Kërkohet ndërhyrje emergjente nga qeveria dhe le të shpresojmë se do të miratohen fondet, qoftë duke u nisur edhe nga “patriotizmi” i ministres Kumbaro.

Në mars të 2013, keqmenaxhimin e kalasë së Libohovës e denoncoi edhe deputeti i PS-së, Auron Tare. Menjëherë pati replika nga kryebashkiaku, Altin Çomo. Ky i fundit pati thënë për mediat asokohe se kishte përfunduar një projekt për restaurimin e kalasë nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare dhe Bashkia Libohovë, projekt që pritej të vihej në zbatim. Ndër të tjera ai e akuzoi Taren për për shkatërrim të monumentit të Teqesë së Melanit në emër të përfitimeve personale, ndërsa e ka cilësuar deklaratën e deputetit socialist, luftë politike, që bëhet në kurriz të popullit të Libohovës, duke e disinformuar mbi objektin në fjalë.Nga marsi i 2013 e deri më sot, projekti i hartuar asokohe nuk u vu në zbatim. Kalaja është ajo që ishte dhe, nuk dihet akoma për sa kohë do vonojë restaurimi i saj.