Bebet me tre prindër, specialisti: Një hap revolucionar
Teknika që mundëson përdorimin e ADN-së së 3 prindërve është një hap revolucionar sa i përket riprodhimit njerëzor.
Kështu thotë mjeku i “New Hope Fertility Center” në Nju Jork John Zhang, i cili pretendon se e ka realizuar me sukses procedurën në Meksikë, 5 muaj më parë.
Një çift jordanez ju nënshtrua teknikes që përfshin modifikimin gjenetik të embrionit dhe tani bebja e tyre ka material nga nëna, babai dhe një dhuruese femër. Procedura, e ideuar për të ndihmuar familjet me sëmundje të trashëgueshme e të pashërueshme, është kontroverse pasi nuk aprovohet në SHBA.
“Bëhet fjalë për një teknologji të re, e para në historinë e njerëzimit që mundëson lindjen e një njeriu të shëndetshëm nga 2 vezë të rikombinuara me spermën e një personi”.
Zhang deklaroi gjatë një konference shkencore se nëna e fëmijës në fjalë, ishte bartëse e sindromës Leigh, një çrregullim fatal i shkaktuar nga mutacionet në ADN mitokondriale, që prek sistemin nervor qendror.
Simptomat fillojnë brenda vitit të parë të jetës së fëmijës dhe pas disa vitesh çojnë në vdekje. Gruaja kishte humbur dy fëmijë në të kaluarën, për shkak të sëmundjes. Procedura e shumë diskutuar parashikon ndërhyrjen në procesin e fertilizimit për të zhvendosur mitokondrinë, e cila vepron si një bateri e vogël që gjeneron energji brenda qelizës. ADN-ja mitokondriale është e ndarë nga ADN-ja në bërthamën qelizore dhe nuk prek karakteristika të tilla si flokët, ngjyra e syve, pamja apo karakteristika te personalitetit.
Duke qenë se teknika është rreptësishtë e ndaluar në SHBA, Zhang e realizoi atë në një klinikë të Meksikës. Ekspertët presin një rritje të numrit të pacienteve që do të kërkojnë trajtime të tilla dhe shpresojnë që procedura të aprovohet së shpejti edhe në Amerikë, ku shumë kritikë i druhen keqpërdorimit të saj.