Brenda burgut të mistershëm të “7 penxhereve” në kalanë e Gjirokastrës (VIDEO)
Nga Brikena Metaj
Oshëtima e goditjes së kangjellave nuk dëgjohet më prej vitesh. Penxheret e hekurta…heshtin, por jo historitë që mbartin brenda tyre.
Ai vazhdon të jetë dhe sot në brendësi të kalasë madhështore, i mistershëm po aq sa dikur, i frikshëm dhe me heshtjen e zhurmshme që mbretëron në çdo hapësirë të tij. Burgu i famshëm i “7 penxhereve”, i pagëzuar i tillë për shkak të numrit të dritareve të Kalasë, mbart brenda vetes historitë njerëzore të atyre dhjetëra e qindra të burgosurve në vite, klithmat e të cilëve dëgjohen dhe sot. Mjafton të heshtësh, të shuash zërat e kësaj bote dhe thjesht … të dëgjosh.
Një derë e vjetër metalike sapo futesh në Muzeun e Armëve të çon në atë që dikur ka qenë burgu i kalasë së Gjirokastrës. I ndërtuar me urdhër të mbretit Zog, punimet për ndërtimin e këtij burgu kanë filluar që në vitin 1929, ndërsa inaugurimi i tij u bë në vitin 1932, dëshmi e asaj dite është kjo foto ilustruese me tabakanë e mbushur me llokume e gota me raki. Ironike të mendosh se një ritual gëzimi zbatohet për përurimin e një institucioni që të privon lirinë e të jetuarit.
Gurët dhe materialet për ndërtimin e tij u siguruan nga ishujsjellësi i kalasë, i ndërtuar dikur nga Ali Pashë Tepelena dhe i shembur pikërisht në këtë periudhë.
Për katër dekada me radhë, ky burg u shërbeu katër regjimeve të ndryshme. Fillimisht u përdor nga regjimi zogist, më pas nga pushtuesit fashistë dhe nazistë, ndërsa deri në vitin 1968, kohë që shënon edhe mbylljen e tij ishte në përdorim nga regjimi komunist.
Vizitat në këtë pjesë të kalasë janë të rralla, pakkush kujtohet dhe ka informacion për të. Ngjashmëria e tij me një zonë muzeale është shumë larg parametrave të duhura.
Në korridorin e gjatë dhe muret plot mbishkrime, dyert e qelive të dikurshme janë të hapura. Një frikë e pavetëdijshme të bën të stepesh para se të hysh në to. Ndoshta frika se mund të mos dalësh dot më prej andej apo besëtytnia se shpirtrat e të burgosurve ndodhen ende aty.
Vetëm një pjesë e burgut të 7 penxhereve, është e vizitueshme, e trajtuar si e tillë prej kohës kur vendosi të bëhej pjesë e muzeut në vitet ’70. Pjesa tjetër e njërit prej burgjeve më të mëdhenj e më famëkeq të kohës, është e burgosur pas dyerve të hekurta dhe harresës së njeriut dhe kohës.
Historia e një periudhe të tërë regjimi është mbyllur pas këtij dryni, një burg i burgosur në harresë, i lënë mënjanë sikur të mos kish ekzistuar kurrë. Periudha e komunizmit, kohë kur numri i të burgosurve kryesisht politikë nuk ka qenë i paktë, është krejtësisht e paekspozuar në muzeun që pasqyron vetëm periudhën e Zogut dhe luftës nacional – çlirimtare, një mangësi e shtuar për këtë muze të veçantë.
Por harresa shtetërore duket se ka shtrirë duart e saj në këtë vend të rëndësishëm të trashëgimisë historike. Restaurimi I fundit I kësaj pjese të kalasë është bërë dekada më parë dhe gjithçka është lënë në mëshirë të kohës dhe degradimit të pashmangshëm.
Në fund të korridorit gjendet busti i heroinave të popullit Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të parat e të vetmet femra në Evropë të ekzekutuara, por të burgosura dhe të torturuara pikërisht në këto qeli dhe më së shumti në atë që është simboli më I frikshëm I këtij burgu…qelinë e vdekjes.
“Got mit uns” (Zoti ju ndihmoftë) janë fjalët e shkruara në hyrje të portës së qelisë më famëkeqe të këtij burgu, qelisë së vdekjes, aty ku futeshe për të dalë vetëm I vdekur. Qelia e vdekjes, emër ky që i përshtatej më së miri, ishte një nga 50 qelitë e burgut më të madh në jug.
Kalimi I kësaj porte do të thoshte vetëm një gjë…vdekje të sigurt. Kjo dhomë ishte projektuar për të të sjellë sa më pranë fundit të sigurt. Një korridor tepër i vogël e i ngushtë shërben si ndarës për dy miniqeli të tjera, njëra prej të cilave ishte dhoma e torturave. Mbi murin e njërës prej dy qelive ndarëse, ku lagështia vazhdon të mbizotërojë, janë shkruar tri mbishkrime të heroinës, Bule Naipi.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit brenda kësaj qelie të burgosurit qëndronin në ujë të nxehtë gjatë verës dhe në ujë të ftohtë gjatë dimrit të acartë të Gjirokastrës.
Ende dhe sot nuk ka një shifër të saktë të të burgosurve që kanë kaluar këtë portë famëkeqe dhe u janë nënshtruar torturave çnjerëzore brenda kësaj qelie të vogël e të errët si vetë makthi, madje nuk ka as një shifër të saktë të të burgosurve në vite në këtë burg, por në 38 vite funksionim të tij, mendohet se shifra e tyre ka qenë e lartë.
Mbishkrimet në mure dëshmojnë faktin se nuk kishte dallime mes atyre që burgoseshin, gra dhe nëna me fëmijë janë dergjur e kanë ngrysur ditët e tyre në këto qeli të vogla e të ftohta si vetë frymëmarrja e munguar e lirisë së mohuar.
Në murin e njërës prej qelive gjendet mbishkrimi I një dialogu mes dy të burgosurve. Nipi I njërit prej tyre që si për rastësi mban të njëjtin emër që dhe sot gjendet në muret e kësaj qelie tregon historitë e rrëfyera prej gjyshit të tij për kohën e kaluar brenda këtyre mureve të gurtë.
Legjenda e Ago Ymerit gjendet e përjetësuar edhe brenda mureve të gurta të burgut.
Ky është burgu I kalasë së Gjirokastrës, historia e të cilit të rikthen pas në kohë. Ky vend ku mbizotëron veç ftohtësia e jetëve të torturuara dhe lirisë së mohuar.
Është folur jo rrallëherë për rifunksionalizim të kësaj pjese të kalasë në shërbim të turizmit, por me kalimin e viteve fjalët ripërsëriten pareshtur, ndërsa lagështia, rrënimi dhe harresa janë ulur këmbëkryq në këtë pasuri të kujtesës historike.
Historitë e përcjella gojë më gojë tregojnë historinë e emrit të këtij burgu. Zhurma e hekurave të dritareve të burgut që gardiani i kontrollonte çdo ditë, herët në mëngjes, dëgjohej mbi qytet. Ky ishte zgjimi i parë i qytetit të gurtë dhe banorëve të saj që pak nga pak u mësuan me ritualin e përditshëm të burgut që I tregonte qytetit vetëm 7 penxhere nga qelitë e tij të shumta, duke u pagëzuar kështu me këtë emër që mbart dhe sot “Burgu i 7 penxhereve”./Balkanweb/