Brenda këtij viti rikonstruktohen 8 qendra shëndetësore në Gjirokastër

80 qendra shëndetësore në mbarë vendin do të rikonstruktohen brenda vitit 2018. Në investimet e qeverisë shqiptare në sektorin e shëndetësisë, për vitin 2018 janë përfshirë rikonstruksioni i 4 qendrave shëndetësore në Shkodër; 2 qendrave në Kukës; 2 qendrave në Lezhë; 1 qendre në Dibër; 6 qendrave në Durrës; 16 qendrave në Tiranë; 7 qendrave në Elbasan; 12 qendrave shëndetësore në Fier; 5 në Berat; 6 në Korçë; 8 qendra në Gjirokastër dhe 11 qendra shëndetësore në Vlorë.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë vijon me marrjen e masave për përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu askush nuk mund të drejtojë më pacientin apo familjarin që të blejë ilaçe jashtë spitalit. Lista esenciale e barnave do të shpallet brenda datës 15 maj dhe çdo pavion dhe shërbim urgjence dhe drejtorët e spitaleve do të jenë përgjegjës nëse do të ketë mungesa të këtyre barnave. Manastirliu deklaroi nga Lezha se sot financohen 35 milionë euro për barna e pajisje mjekësore në spitalet tona.