Busti i Avni Rustemit, reagon Bashkia Libohovë: Ndjesë për ato pamje, s’ka asgjë të qëllimshme! Heqja është e përkohshme, mjaft me histerinë kolektive

Bashkia Libohovë ka reaguar lidhur me debatin e krijuar së fundi për zhvendosjen e bustit të Avni Rustemit nga lulishtja ku ka qenë prej kohësh. Përmes një deklarate thuhet se kjo është një lëvizje e përkohshme deri në përfundim të punimeve për investimin në qendër. Bashkia gjithashtu kërkon ndjesë për këdo që ndoshta është ndjerë keq nga pamjet që u përhapën në rrjetet sociale, por sqaron se ky veprim është kryer nga punëtorët e firmës, me qëllim që busti të mos dëmtohej. Më poshtë deklarata e plotë.

Në vijim të punimeve për projektin e qendrës së re të Libohovës, një ditë më parë u krye zhvendosja e bustit të Avni Rustemit nga vendi ku qëndronte prej vitesh. Bashkia Libohovë sqaron të gjithë qytetarët e keqkuptuar, se zhvendosja e bustit është e përkohshme, me qëllim që punimet të vijojnë lirshëm edhe në këtë kënd.

Projekti i qendrës është prezantuar dhe diskutuar në dëgjesa publike të hapura për të gjithë. Në asnjë rast nuk është thënë se busti do të hiqet nga qendra e Libohovës. Kushdo që pretendon të kundërtën e kësaj, së paku është i keqinformuar ose qëllimisht ‘ndot’ rrjetet sociale me shpifje dhe gënjeshtra që s’kanë asnjë lidhje me projektin dhe as me punën e Bashkisë Libohovë. Dëshpërimisht pretendojnë se në këtë mënyrë do të mund të pengojnë realizimin e projektit, por kjo s’ka për të ndodhur.

Përsa i përket pjesës së heqjes me litar të bustit, kjo u pa si zgjidhje nga punëtorët e kompanisë që kryen punimet, me qëllim që busti të mos dëmtohej. Ndoshta kjo lëvizje mund të menaxhohej më mirë, për të evituar kështu edhe këtë histeri kolektive që mundohen të mbjellin ata që thonë se ne e bëmë qëllimisht këtë për të përdhosur bustin e heroit tonë.

Sidoqoftë, për këdo që ndoshta nuk është ndjerë mirë kur ka parë ato pamje, Bashkia Libohovë kërkon ndjesë dhe garanton të gjithë libohovitët se situata të tilla nuk do të përsëriten. Me përfundimin e projektit të qendrës, busti i Avni Rustemit do të jetë sërish aty, por në një vend krejtësisht të transformuar dhe më dinjitoz për peshën e asaj që ai simbolizon për Libohovën dhe mbarë Shqipërinë.