“Bypass-i” Gjirokastrës, si u falsifikua firma e vjehrrit të ministrit Bledi Çuçi

Dy ditë më parë u raportua në media për një peticion të firmosur nga rreth 30 vetë, emra të njohur të shkencës, fushës së trashëgimisë kulturore, urbanistikës e më gjerë, të cilët kundërshtojnë projektin e ndërtimit të “Bypass-it” në Gjirokastër.

Kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, tha në një intervistë për Alpo Tv se një nga firmëtarët e peticionit ishte edhe Agron Fico, vjehrri i Bledi Çuçit, ministrit aktual të Pushtetit Vendor dhe me shumë gjasa kandidat për deputet i PS-së në qarkun Gjirokastër.

ArgjiroLajm.net e kontaktoi Agron Ficon dhe ai konfirmoi që jo vetëm s’ka qenë në asnjë mbledhje të organizuar për “Bypass-in”, por as ka firmosur ndonjëherë ndonjë dokument, raport apo peticion lidhur me këtë projekt. Ndonëse në dokument është një firmë pranë emrit të tij, Agron Fico mohon të jetë e tij. Me ç’duket organizatorët e që kundërshtojnë këtë projekt kanë falsifikuar firmën e Agron Ficos. Firmëtarët kundërshtojnë projektin e “Bypass-it”, me pretendimin se prish imazhin e qendrës historike të Gjirokastrës. Ata ia dërguan peticionin Presidentit, Qeverisë, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bashkisë Gjirokastër dhe Prefekturës.

/ArgjiroLajm.net