Cana: Dua Gjermaninë dhe Italinë në short
Këtë të shtunë vëmendja e të gjithë shqiptarëve do të jetë në Paris, aty ku do të hidhet shorti i fazës finale të kampionatit europian Francë 2016.
Për herë të parë në një kompeticion të tillë do të marrë pjesë edhe Shqipëria. Kombëtarja kuqezi në shortin e 12 Dhjetorit do të jetë e pozicionuar në vazon e 4-t, dhe është e sigurtë do të vendoset përballë përfaqësueseve me shumë potencial në arenën europiane. Ëndrra e të gjithë shqiptarëve është të kenë përballë Gjermaninë apo Italinë në Euro 2016, por dicka të tillë e dëshiron edhe kapiteni i kombëtares kuqezi dhe njeriu simbol i skuadrës që drejtohet nga Gianni De Biasi, Lorik Cana.
Në një intervistë për radion franceze RMC, qëndërmbrojtësi 32-vjecar zbuloi preferencat e tij për shortin e të Shtunës.” Në një fazë finale të kampionatit europian nuk ekzistojnë grupet e lehta deklaroi Lorik Cana, por gjithsesi ka skuadra të cilat unë personalisht dëshiroj ti evitoj. Nuk do të më pëlqente për shembull të kishim përballë Spanjën, nënvizoi lojtari i Nantes. Kapiteni theksoi gjithashtu se do ti pëlqente që Shqipëria të sfidonte Gjermaninë ose Anglinë nga vazo e parë dhe Italinë nga vazo e dytë. Për Lorik Canën, Euro 2016 do të jetë eventi i parë madhor me kombëtaren shqiptare por mund të jetë edhe i fundit pasi mbrojtësi 32-vjecar ka bërë të ditur se në përfundim të kompeticionit që do të zhvillohet në Francë do të vendosë nëse do të vazhdojë ose jo të jetë më pjesë e Shqipërisë./SuperSport