Ç’do të thotë të jetosh sot në Lazarat?!

lazarat-policia-komunitet-20-prill-2010Nga Brikena Metaj

Lazarati nuk është më ai i pari. Fshatit “rebel”, i janë “shembur muret”. Vetëm dy vite më parë ai ishte i mbipopulluar. Banorët vendës dhe të ardhurit nga rrethe të ndryshme të vendit, siguronin të ardhura të majme nga kultivimi i hashashit. Në atë kohë të binin në sy vilat dhe makinat luksoze, ndërsa në fshat gëlonin punëtorët me mëditje. Tani ai po braktiset dita-ditës. Pas superaksionit antidrogë të Policisë së Shtetit në Lazarat, një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë ikur në emigracion, kryesisht në Gjermani dhe në Kanada. Kjo për shkak të varfërisë dhe të papunësisë së madhe. Prej muajsh patrullat e policisë të pozicionuara në hyrje të fshatit, janë larguar. Ne ecim të qetë në rrugën kryesore pa hasur në asnjë pengesë, pa hasur në asnjë kundërshti. Kudo mbizotëron heshtja. Dikur, pika më e gjelbër në hartën e Shqipërisë dhe jo vetëm, sot gjithçka është ndryshe. Fshati është i “zhveshur” dhe syri të sheh vetëm mure të larta betoni, toka djerrë ku ende ruhen gjurmët e gropave, ku dikur mbillej hashashi.

Ndërsa ecim rrugicave të Lazaratit, fshatit që herë pas here kthehet në vëmendjen e publikut, kërkojmë të shohim e të prekim nga afër se si jetojnë banorët. Por, për gazetarët nuk është e lehtë, pasi ndaj tyre lazaratasit vazhdojnë të kenë një armiqësi të trashëguar ndër vite. Krejt e kundërta ndodh, nëse je thjesht dikush që kërkon t’i takojë. Ata janë shumë mikpritës dhe bujarë. E ndërsa i pyesim për përditshmërinë e tyre, banorët përgjigjen të revoltuar se po jetojnë në skamje.

Pronarët e dyqaneve të fshatit të hapin blloqet me emrat e shumtë të borxhlinjve. “Rreth gjysma e atyre që kanë mbetur në fshat e kanë emrin në këto fletore, pohojnë ata.

Pas vendosjes së rendit e ligjit, një numër i konsiderueshëm i banorëve të Lazaratit janë zhvendosur me banim në Tiranë, ndërsa të tjerë kanë ikur në emigracion. Para operacionit antidrogë, të qershorit 2014, Komuna e Lazaratit numëronte rreth 4500 banorë. Aktualisht numëron 3470 banorë (820 familje). Mësohet se 20 familje janë shpërngulur me gjendje civile dhe mbi 100 banorë janë larguar në Greqi, Kanada dhe Gjermani. Numri nuk është i saktë, pasi një pjesë e të larguarve rezultojnë ende të regjistruar në gjendjen civile. Sipas banorëve, fshati po tkurret dita-ditës dhe tashmë nuk të ofron asgjë, veç varfërisë e pamundësisë për të punuar.

Duket e habitshme të flasësh kështu për lazaratasit, për fshatin që për vite ka qenë kryefjalë e kronikave televizive e qe ende dhe sot ringjallet si e tillë. Por realiteti flet pa doreza. Ky është Lazarati sot, I mpakur, I heshtur, në përpëlitje drejt të ardhmes, si cdo fshat tjetër në Shqipëri. “Toka e premtuar” I ka tharë frytet e veta të dikurshme. Jeta po shkon në rrjedhën e saj të normalitetit shqiptar. Ata kërkojnë që të mos përfliten më dhe të lihen të qetë në hallet e tyre. Kërkojnë ndihmë nga drejtuesit vendor dhe nga shteti, për të punuar tokat të lëna djerrë dhe kthimin e vëmendjes ndaj një komuniteti të harruar dhe të shfrytëzuar politikisht për vite me rradhë.