Çfarë do ndodhë me 26 tonët e mishit të pulës me salmonelë

26 tonët e mishit të pulës të infektuara me salmonelë vijojnë të qëndrojnë të bllokuara në portin e Durrësit deri në një vendim përfundimtar për asgjësimin e tij apo kthimin drejt vendit të origjinës, Brazil.

Aktualisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është duke e trajtuar këtë çështje me firmën braziliane, por sipas kreut të AKU-së, procedurat ligjore kërkojnë kohë. Ndërsa në mënyrë emergjente, për të qetësuar edhe konsumatorin shqiptar, drejtori i AKU Dritan Sejko, thotë për “News24”se do të propozojë ndalimin e importit të produkteve shtazore nga kjo kompani. Ndërkohë që firma shqiptare AMG, tashmë do të jetë subjekt i kontrolleve të rrepta doganore.

“Janë rreth 60 subjekte që kanë licencën për të furnizuar me këto produkte vendet e BE dhe Shqipërinë. Ne do të propozojmë që ministri i bujqësisë të nxjerrë një urdhër për ndalimin e importeve nga kjo firmë të paktën për një periudhë të pacaktuar. Kjo bëhet jo vetëm për sigurinë por edhe për ti dhënë një mesazh publikut se nga institucionet shtetërore po punohet”, – deklaron drejtori i AKU.

Por përveç këtyre masave, pas alarmit ndërkombëtar për produktet shtazore nga Brazili, sa i sigurt është konsumatori nga ajo çka qarkullon në treg aktualisht? Sa të rrezikuar jemi nga salmonela?

“Rreziku për infeksione me salmonelë për produktet shtazore ekziston jo vetëm për produktet e importit por edhe nga prodhimi vendas. Kjo është një sfidë e autoriteteve për të arritur standardet. deri tani nuk ka pasur asnjë rast problematik. rastet që janë shfaqur kanë qenë të rralla dhe janë marrë masat”, -shprehet Sejko.

Nga Brazili importohet kryesisht mish pule dhe derri, i cili shkon ose për përpunim ose direkt në treg. Po çfarë duhet të dijë konsumatori për sigurinë e tyre, sipas kreut të AKU-së?

“Publiku duhet të blejë produkte në subjekte tregtare të licencuara, dhe jo në tregje në rrugë. duhet të jetë i vetëdijshëm që produktet shtazore që shiten në kushtet jo të përshtatshme higjienosanitare janë një risk për sigurinë ushqimore”, – deklaron Sejko.

Siguria ushqimore sipas Sejkos nuk është një sfidë vetëm e AKU-së por edhe vetë qytetarëve. Sipas tij, jo për të gjitha produktet ushqimore ekziston detyrimi ligjor për etiketimin, kjo ndodh vetëm për subjektet përpunuese ndaj dhe qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm.

“Është një diskutim që nuk ka lidhje me AKU por me edukatën e konsumatorit, është ai që rregullon tregun, nëse ka kërkesë ndaj shitësit atëherë edhe ata do të jenë të detyruar të tregojë origjinën e produktit”, – u shpreh ejko.

Sipas statistikave zyrtare në vitin 2016, nga Brazili është importuar rreth 32 mijë ton mish duke mbuluar kështu pjesën më të madhe të tregut.