Çfarë fshihet pas kërcënimit të Tavos me tërheqje të Luftëtarit nga kampionati?

Pas humbjes se djeshme përballë Flamurtarit, trajneri i Luftëtarit dhe shefi i klubit i kanë paraqitur dorëheqjen presidentit Grigor Tavo. Ky i fundit në një reagim për mediat kërcënoi se nëse ata nuk heqin dorë nga ky vendim brenda kësaj jave, ai do të tërheqë ekipin nga kampionati.

“Do komunikoj nesër me trajnerin dhe shefin e klubit, unë nuk mund të ndikoj dot tek arbitrat, por nëse ata brenda javës nuk kthehen, atëherë unë do tërheq ekipin nga gara, kësaj radhe me të vërtetë i pikëlluar, po e theksoj, sepse nuk është vetëm lek i humbur ky që hodha, por u shkatërrua një punë e shkëlqyer, të cilën e vlerësoi gjithë Shqiperia”, u shpreh Tavo.

Por a ka të drejtë presidenti Grigor Tavo të tërheqë nga kampionati ekipin? Ligjërisht kjo do të kishte sanksione nga Federata Shqiptare e Futbollit për klubin gjirokastrit. Po moralisht, a ka të drejtë Grigor Tavo të sillet me një ekip sikur është totalisht pronë e tij? Kur dihet që ai ka vetëm 75% të aksioneve të klubit, pjesa tjetër janë pronë e Bashkisë Gjirokastër, pronë e qytetarëve gjirokastritë. Le të marrim skenarin se trajneri serb Milinkoviç dhe shefi i klubit Nora, i qëndrojnë vendimit të tyre për t’u larguar nga Luftëtari.

Përse nuk mund të vazhdojë klubli garën me një trajner dhe shef klubi të ri? Luftëtari nuk është ekipi i vetëm në Shqipëri apo në botë, që i largohet një trajner dhe shef klubi, prandaj është absurde dhe e nxituar ajo që tha presidenti Grigor Tavo se do të tërheqë klubin nga kampionati. Ky kërcënim i tij ngre shumë pikëpyetje dhe më së paku është i kritikueshëm.

Një vendim i tillë do të ishte asgjë më shumë sesa thjesht një dështim me sukses i klubit gjirokastrit që në sezonin e tij të parë të ngjitjes në superligë. Mbetet për t’u parë se cfarë do të ndodhë.

/ArgjiroLajm.net/