Çfarë fshihet pas mungesës së Flamur Bimes në hapjen e fushatës së PS-së?

Në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste sonte në Gjirokastër, ku u prezantuan edhe 7 kandidatët për deputetë, kishte edhe një detaj që nuk mund të anashkalohet. Ra në sy mungesa e prefektit Flamur Bime dhe ish-kryebashkiakut të Gjirokastrës për më shumë se një dekadë.

Ndonëse ndaj Bimes kishte ftesë për të marrë pjesë në takim, ai zgjodhi të mos ishte i pranishëm si shumë përfaqësues të tjerë të PS-së në nivel vendor. Nuk dihen me saktësi arsyet përse Flamur Bime mungoi në takim, por sigurisht që mund të bëhen hamendësime nëse sjell në vëmendje zhvillimet e kohëve të fundit. Zyrtarizimi i listës së kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër e gjeti ish-kryebashkiakun jashtë planeve të Edi Ramës.

Ky i fundit miratoi në vendin e tretë të listës Flamur Golemin, kreun e PS Gjirokastër. Që prej këtij momenti duket se ka një krisje mes Flamur Bimes dhe pjesës zyrtare të PS-së, ndonësë disa ditë më parë ai pati një takim të ngushtë me Edi Ramën. Kur Rama ishte në Gjirokastër për Ditën e Europës, në përfundim të aktivitetit ulet me Flamur Bimen në një prej lokaleve në pjesën e sipërme të qytetit.

Burime të ArgjiroLajm.net thonë se Bime ka diskutuar me Ramën për angazhimin e tij në fushatë dhe ka premtuar mbështetje për kandidatët e PS-së, ndonëse ishte i keqardhur që nuk ishte vetë në listë. Ndoshta mungesa e tij gjatë aktivitetit të sotëm lidhet me arsye krejt të tjera që s’kanë lidhje me zhvillimet në PS dhe listën e kandidatëve për deputetë në qarkun Gjirokastër.

Sidoqoftë ditët në vijm gjatë fushatës do të tregojnë më shumë, nëse Flamur Bime do të jetë krah kandidatëve të PS-së apo do të luajë rolin e të qejfmbeturit me Ramën duke zgjedhur të mos angazhohet fare…

/ArgjiroLajm.net/