Çfarë fshihet pas sondazhit me të cilin “mburret” Vangjel Tavo

Në fillim të muajit shkurt portali i Anila Bashës, www.newsbomb.al publikoi një sondazh për deputetët e preferuar sipas secilit qark dhe që elektorali do të dëshironte të rizgjidheshin sërish. Sondazhi u mbyll sot. Sa i përket qarkut Gjirokastër sondazhi i Newsbomb.al nxjerr si më të preferuarin deputetin e LSI-së Vangjel Tavo.

Ky i fundit duket se e ka marrë seriozisht sondazhin dhe ka reaguar përmes faqes së tij në Facebook, ndonëse janë të njohura praktikat se si mund të rriten artificialisht votimet ne sondazhet online apo si mund të manipulohen ata.

“Falenderoj shumë përzemërsisht të gjithë ata që më votuan në sondazhin e organizuar nga media Neësbomb.al Jam i inkurajuar që kam besimin tuaj dhe jam edhe më i vendosur të kryej me përkushtim misionin fisnik të shërbesës ndaj qytetarit dhe të gjithë komunitetit të qarkut të Gjirokastrës”, shkruan Tavo në faqen e tij në Facebook.

Por në sondazhe të tilla niveli i besueshmërisë është tejet i ulët. Mjafton të përmendësh dy detaje. Së pari ata që votojnë pro një deputeti apo pro një tjetri, janë në të shumtën e rasteve janë aktivistë të forumeve rinore që angazhohen me urdhër partiak për të votuar pro një personi, thjesht dhe vetëm për ta nxjerrë të parin. Pra, nuk kemi të bëjmë qytetarë të zakonshë dhe të paangazhuar politikisht.

E dyta, ka pafund scripte apo software që të lejojnë të votosh disa herë qoftë edhe përmes një IP të vetme. Një manipulim të tillë e vumë re edhe në sondazhin e fundit në portalin e Blendi Fevziut, Opinion.al ku kërkohej të vlerësohej cili ishte ministri më i suksesshëm i qeverisë “Rama”.

Sidoqoftë, sondazhe të tilla përdoren shpesh nga partitë dhe politikanët për diversion apo për të manipuluar opinionin publik. Nga ana tjetër, kultura e sondazheve në Shqipëri është pazhvilluar dhe shpesh sa herë ka patur zgjedhjet kemi vënë re dështimin e parashikimeve të sondazheve, qofshin këto edhe nga kompani ndërkombëtare./ArgjiroLajm.net

No automatic alt text available.