Çfarë po ndodh në Gjirokastër? Rriten rastet e dhunës në familje

Sociologia Alsona Bala: Rastet e dhunës në familje vijnë si shkak i varfërisë dhe kushteve të vështira ekonomike dhe financiare.

Shtohen rastet e dhunës në familje në Gjirokastër. Sipas  Donalda Ferruni,  kancelare e Gjykatës së Shkallës së Parë, gjatë këtij viti janë paraqitur 18 kërkesa për urdhër mbrojtje. “Pjesa më e madhe e  personave që kërkojnë ndihmën e organeve të drejtësisë si shkak i konflikteve në familje janë gra që dhunohen fizikisht nga bashkëshortët e tyre. Por mes kërkesave për urdhër mbrojtje nuk mungojnë edhe rastet e dhunimit të pjesëtarëve të tjerë të familjes si të prindërve apo fëmijëve të mitur”, deklaron kancelaria Ferruni.

Ndërsa kancelaria e Gjykatës së Apelit, Alma Anxharra,  “Urdhrat e mbrojtjes të miratuara nga ana jonë janë me të pakët në numër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është rezultat i reagimit ligjor dhe qytetar në lidhje me veprat penale të dhunës në familje, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën”.

 

Ndërkohë sipas sociologëve në Gjirokastër rastet e dhunës në familje vazhdojnë të kenë si shtysë kryesisht situatën e vështirë financiare me të cilën ballafaqohen bashkëshortët apo familja.

Sociologia Alsona Bala, pohon se “pjesa më e madhe e rasteve të dhunës në familje vjen si shkak i varfërisë ekonomike dhe situatës së vështirë financiare për të përballuara jetesën e përditshme”. Rastet më të shumta të dhunës në familje gjatë këtij viti në Gjirokastër janë regjistruar në zonat rurale. Sipas sociologes A. Bala ndër shkaqet e tjera të kësaj problematike sociale janë edhe  mungesa e kulturës qytetare, arsimimit, gjendja e alkoolizuar e kryefamiljarit etj./konica.al