Çfarë po ndodh në Virua, liqeni i pushtuar nga algat

Rikonstruksioni i Parkut të Viroit, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë mbi 260 milion lekë përfundoi dy vite më parë duke rijetëzuar këtë park dhe duke e kthyer atë në destinacion turistik për turistët vendas e të huaj. Por sot, ky park ndien mungesën e mirëmbajtjes serioze të tij dhe ruajtjes së këtij investimi.

Koshat e mbeturinave të vendosura përgjatë shëtitores janë shkulur, stolat të dëmtuar, ndërsa këndi i lojërave dhe ai sportiv totalisht të shkatërruar.
Liqeni artificial që është zemra e këtij parku, dikur me ujë të pastër, sot është në një gjendje të mjerueshme. i mbuluar nga bimësia, ai po kënetëzohet dhe është shndërruar në strehën e bretkosave dhe zvarranikëve. Prej dekadash ky liqen nuk është pastruar në thellësi dhe sipërfaqe të tij, por situata është përkeqësuar vitin e fundit kur pastrimi i liqenit duket se është lënë totalisht jashtë vëmendjes. Sipas biologëve algat dëmtojnë rëndë jetën ujore dhe shpendët shtegëtarë. Për këtë arsye pastrimi i liqenit është i domosdoshëm për zhvillimin e ekosistemit.

Parku natyror i Viroit në Gjirokastër është një ndër zonat më të vizituara dhe destinacioni kryesor i gjirokastritëve në fundjavë. Por papërgjegjshmëria e vetë banorëve që kanë dëmtuar këtë investim nuk humbet aspak përgjegjësinë e bashkisë së qytetit për ruajtjen e kësaj pasurie dhe përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të këtij parku, duke përfshirë para së gjithash liqenin e Viroit, dikur i lundrueshëm, me varka peshkimi dhe noti, ndërsa sot specialistët japin alarmin për rrezikun e ujërave të tij dhe kënetëzimin e pashmangshëm të këtij liqeni./BW