“Çmendet” baristi në Gjirokastër, bën koktejle me emrin e Enver Hoxhës, Bimbashit, Çerçizit e Ali Pashës (FOTO)

Përgjatë këtij sezoni veror Gjirokastra ka qenë një ndër qytetet më të vizituara nga turistët. Bizneset përpiqen vazhdimisht të rrisin standardin e shërbimit, të jenë konkurrues me çmimet, por edhe të jenë inovativë e të tërheqin vëmendjen. Së fundi një prej lokaleve në zonën e Pazarit prezanton për klientët e tij koktejlje që mbajnë emra interesantë e që lidhen me Gjirokastrën.

Remi Gega një ndër baristët më të mirë në qytet ofron te lokali “Babameto 2” koktejlin e quajtur “Diktatori Enver Hoxha”, “Bimbashi”, “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”, “Sokaku i të Marrëve”, “Princesha Argjiro”, “Ali Pashë Tepelena”, “Çerçiz Topulli”, “7 Penxheret” dhe “Kronikë në Gur”. I pyetur se përse ka vendosur t’i quajë pikërisht kështu, ai thotë se kjo është një mënyrë për të përmbledhur historinë e Gjirokastrës në 9 koktejle, pa fshehur natyrisht edhe faktin që kuriozon njerëzit dhe tërheq vëmendjen. Përbërja e koktejljeve është e ndryshme tregon Gega dhe secili ka elementët e tij të veçantë. Për shembull nëse i referohemi koktejlit që mban emrin e burgut famëkeq në kalanë e Gjirokastrës, “7 Penxheret”, ai është i përbërë nga whiskey, rumi, vodka, amaro, soda etj.

Për diktatorin Enver Hoxha përbërësi kryesor është gin hendrix dhe mente, ndërsa për koktejlin me emrin e heroit “Çerçiz Topulli” përbërëi kryesor është pija tradicionale shqiptare, rakia. “Bimbashi” të cilin sipas historisë Çeçua me çetën e tij e vranë në kalldrëm, ka për bazë tekilan, birrën, limonin etj. Për një bukuri si “Princesa Argjiro”, koktejli përgatitet me bazë lulen jasemin, vodka, ananas etj.

Për koktejlin që ka marrë emrin nga shprehja emblematike “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”, përbërësit janë vodka, borronica dhe limoni. Këto koktejle thotë baristi Rimi Gega kanë nisur të shërbehen në “Babameto 2” prej ditës së sotme si një produkt i ri në lokalin e tyre dhe interesi bashkë me kuriozitetin e parë të klientëve dhe sidomos turistëve të huaj është i lartë. Më poshtë lista e plotë e të 9-të koktejljeve me të gjithë përbërësit dhe shpjegimin përkatës.