Çuçi në takim me gratë: Qarku i Gjirokastrës, pararojë për barazinë gjinore

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim me gratë e qytetit të Këlcyrës.  Gjatë takimit ai u shpreh se krijimi i kushteve të barabarta dhe vendosja e dinjitetit të gruas është një nga premtimet e mbajtura të Partisë Socialiste.

“Sot, në këtë mjedis mikpritës dua të them një nga revolucionet e mëdha që kemi bërë si PS, që shënon një hap përpara për çdo shoqëri të civilizuar, qoftë edhe në Europë, është vënia e dinjitetit të gruas aty ku i takon në shoqërinë shqiptare. Krijimi i kushteve që gratë dhe vajzat në shoqëri të jenë të barabarta dhe të padiskriminuara. Ky ishte një premtim në 2013 dhe sot është një realitet i prekshëm në çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri”, tha ai.

Çuçi listoi disa nga arritjet e qeverisë Rama në këtë aspekt, siç janë ndryshimet në kodin zgjedhor për përfaqësimin e grave ne Parlament si dhe përbërja e qeverisë me më shumë se 50% gra ministre.  Ai veçoi qarkun e Gjirokastrës si pararojë e këtij ndryshimi me 54% gra të përfaqësuara në listat e deputetëve për këtë qark.

“ Ishim ne socialistët që të parët vendosëm në statutin e partisë, që 50 përqind e çdo forumi të PS të jetë e përfaqësuar nga gra a e vajza, Asambleja , Kongresi e të tjera struktura të rëndësishme. Ishte kryeministri Rama që bëri të mundur që sot kemi 50 përqind të kabinetit, gra. Dhe e fundit, edhe këtu kam qenë vetë një nga shkruesit e rregullit, ne vendosëm për herë të parë që 50 përqind e këshillave bashkiakë të përfaqësohen nga gra e vajza.I gjithë ky transformim që po pëson shoqëria shqiptare nuk do bëhej e mundur nëse nuk garantonim këtë barazi e nuk do i linim peshën e duhur në vendimarrjen e shtetit grave dhe vajzave.”, deklaroi ish-ministri.

Ai tha se ne besojmë te barazia gjinore dhe ky besim, është një nga reformimet më progresiste që ka pësuar shtetit shqiptar “

Në mbyllje të fjalës së tij, Çuçi theksoi se Partia Socialiste ka patur gjithmonë një aleat besnik tek gratë shqiptare dhe i ftoi që gjatë kësaj fushate të angazhohen bashkarisht për një fitore të bindshme në 25 qershor.