Dalin përgjigjet e lotarisë amerikane, si do seleksionohen fituesit
Fituesit e lotarisë amerikane këtë vit do të shpallen, duke nisur nga nesër ora 18:00, ndërsa të gjithë ata që kanë aplikuar duhet të kenë kujdes për të parë përgjigjen dhe të mos bëhen pré e mashtrimeve me email. Udhëzimin që gazeta boton sot, e ka bërë publik edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me njoftimet për emrat fitues. Këtë vit nuk do ketë njoftime personale përmes postës elektronike, por aplikuesit duhet të kontrollojnë vetëm në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit. Për lotarinë amerikane kanë aplikuar rreth 200 mijë shqiptarë edhe këtë vit si çdo vit tjetër, pra ëndrra amerikanë vazhdon të jetë një motiv i rëndësishëm për ta.
Njoftimet
Ambasada Amerikane sqaron se njoftimet zyrtare të përzgjedhjes do të bëhen përmes Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, duke filluar nga 2 maji 2017, deri të paktën më 30 qershor 2018, në faqen e internetit dvlottery.state.gov. Çdo komunikim me e-mail që ju merrni nga Departamenti i Shtetit do iu drejtojë për të rishikuar Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve për informacion të ri në lidhje me aplikimin tuaj. Ju duhet të përdorni numrin tuaj të konfirmimit për të hyrë tek Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarve (Entrant Status Check), që bëhet aktive në faqen e internetit të EDV-së www.dvlottery.state.gov nga 2 maji 2017. “Nëse regjistrimi juaj nuk është përzgjedhur, ju nuk do të merrni udhëzime shtesë. Personat e përzgjedhur për programin e lotarisë DV2017 kanë të drejtë të aplikojnë për lëshimin e vizave vetëm gjatë vitit fiskal 2017 të Departamentit të Shtetit, i cili shtrihet nga 1 tetori 2017 deri më 30 shtator 2018. Nuk përfitojnë asnjë shtyrje të lotarisë për vitin e ardhshëm personat që janë përzgjedhur, por që nuk janë pajisur me vizë deri më 30 shtator 2017”, theksohet në njoftimin e ambasadës. Gjithashtu, bashkëshortët dhe fëmijët që përfitojnë nga statusi i një të regjistruari të DV2017 mund të pajisen me viza në kategorinë e DV-së vetëm nga 1 tetori 2016 deri më 30 shtator 2017.
Programi
Të përzgjedhurit e Lotarisë duhet të përpiqen t’i dërgojnë dokumentet në Seksionin Konsullor mbi dy javë përpara datës së tyre të takimit. Nëse ju nuk e keni marrë akoma Garancinë Financiare dhe taksat nga sponsori nё SHBA, ju mund t’i sillni ato së bashku me vizitën mjekësore në ditën e intervistës. Dështimi për të siguruar qoftë edhe një nga dokumentet e kërkuara do të rezultojë në moskryerjen e intervistës nё ditën e caktuar dhe vonesa të gjata. Lutemi të lexoni më shumë në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi mashtrimin. Gjithashtu, ju mund të kontrolloni Paralajmërimin e Departamentit të Shtetit dhe Paralajmërimin e Komisionit Federal të Tregtisë mbi mashtrimet me Lotarinë DV (në anglisht).
Kontrolli
Si fillim, për të kontrolluar përgjigjen, duhet të keni përballë fletën e printuar ku gjenden të dhënat e aplikuesit, të cilat janë; kodi i konfirmimit të regjistrimit 16-shifror, emri dhe mbiemri juaj si dhe viti i lindjes. Për të proceduar me kontrollin duhet të përdorni browserin tuaj të internetit si për shembull; internet explorer, google chrome, mozilla firefox etj, duke shkruar në vendin e kërkimit; adresën zyrtare të webfaqes elektronike E-DV të departamentit të shtetit amerikan e cila është: www.dvlottery.state.gov/ESC/ . Pasi faqja të hapet, klikoni në butonin Continue (vazhdo) dhe më pas plotësoni hapësirat bosh me të dhënat përkatëse.
1- Kodi i konfirmimit te regjistrimit 16 shifror (confirmation code – 2017XXXCRHXXXMDN)
2- Mbiemri juaj
3- Viti i lindjes
4- Shkruani kodin e sigurisë që shikoni në figurë.
Së fundmi, kontrolloni edhe njëherë të dhënat tuaja që vendosët në fushat e tekstit që plotësuat dhe më pas klikoni në butonin SUBMIT për t’u njohur me fatin tuaj.