Datat e provimeve për maturantët mbetës

matura2014-provimetMaturantët që nuk arritën të ishin kalues në një apo më shumë provime të Maturës Shtetërore, do të kenë mundësi t’i rijapin këto provime. Ministria e Arsimit ka publikuar dje udhëzimin në të cilin përcaktohen datat e testimit në lëndët me zgjedhje dhe ato me detyrim për sesionin e vjeshtës 2014-2015. Më shumë se 12 mijë maturantë, të cilët nuk arritën të merrnin pikët e mjaftueshme në provimet e Maturës Shtetërore, do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit. Referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, provimi në lëndët e gjuhës së huaj do të mbahet më 10 shtator. Ndërkohë, në datat 13 dhe 16 shtator do të zhvillohen provimet në lëndët me detyrim, përkatësisht në 13 do jepet testimi i njohurive në lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi dhe në datën 16 shtator provimi i Matematikës.

Kapërcimi i këtij pragu është i rëndësishëm pasi i pajis maturantët me diplomën e shkollës së mesme e njëherazi u jep të drejtën për të garuar për në universitet. Ky sesion i dytë mbyllet më 22 shtator me provimin e lëndëve me zgjedhje. Përfshirja edhe këtë vit e Formularit A3 nuk i penalizon mbetësit, pasi për ta dhe për ata që nuk do të jenë fitues në fazën e dytë do të ketë një raund pasues konkurrimi për të fituar një program studimi aty ku do të ketë kuota të lira apo vende vakante. Në udhëzimin e MAS janë përvijuar edhe procedurat që do të ndiqen. Testi në lëndët me detyrim do të ketë në total 25 pyetje të vlerësuara me 50 pikë, nga të cilat 13 do të jenë me alternativë dhe 12 me zgjidhje.

Për të qenë kalues një maturant duhet të marrë 10 pikë. Të drejtën për t’u futur në provimet e vjeshtës do ta kenë, përveç mbetësve, edhe ata të cilët kanë mbaruar studimet e mesme jashtë vendit dhe ata të cilët e kanë mbaruar shkollën para vitit 2014. Edhe për nxënësit e arsimit bazë, mbetës në një apo në dy provimet e lirimit, Ministria e Arsimit ka publikuar datat për sesionin e vjeshtës. Testimi në lëndën e Gjuhës shqipe do të mbahet më 27 gusht dhe tri ditë më vonë do të zhvillohet ai i Matematikës