Dëgjesa në Zagori, Kumbaro kundër ‘Shell”: E ardhmja është tek turizmi, jo tek nafta (FOTO)

Sot në fshatin Sheper të Zagorisë u zhvillua dëgjesa e radhës me kompaninë ‘Shell’ lidhur me kërkimet për naftë. Banorët vendas dëgjuan planin e kompanisë hollandeze për testimet që ata kanë ndërmend të kryejnë në ‘Bllokun 4’. E pranishme në takim ishte edhe ish-ministrja e Kulturës dhe njëherazi deputetja e zonës, Mirela Kumbaro. Kjo e e fundit pati kritika për kompaninë jo vetëm në drejtim të vlerësimit të ndikimit në mjedis, por edhe për dëgjesat publike. Sipas Kumbaros këto dëgjesa janë kryer thjesht formalisht.

‘Kjo është një zonë e cila në radhë të parë është pasuri natyrore, kultuore dhe turistike. Si e tillë prioritetin e ka në zhvillimin e agroturizmit. Gjykoj që vlerësimi i ndikimit në mjedis është sipërfaqësor, sidomos në aspektin e trashëgimisë kultuore dhe nuk është bindës, as për mua si njohëse e trashëgimisë dhe jo më për banorët. Nga ana tjetër dua të theksoj se komunikimi dhe dëgjesat nuk duhet të jenë formale dhe duhet të jenë të prekshme për banorët. Unë besoj tek e ardhmja e turzmit kulturor dhe natyror të Zagorisë. Pikëisht për këtë qeveria e shpalli Park Natyror Kombëtar. Ishte shumë e rëndësishme për mua që të komunikoja direkt me banorët dhe përfaqësuesit e kompanisë prandaj jam sot këtu”, u shpreh Kumbaro.

Pas disa debateve me banorët vendas, Kumbaro ndau me të pranishmit në takim edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama në Twitter për këtë çështje. Rama tha se nuk bën vaki që të ketë kërkime për naftë në Zagori. Fill pas këtij momenti takimi përfundoi. Kundër planit për kërkime nafte në Zagori u deklarua zyrtarisht edhe Bashkia Libohovë.