Dëmtohet muri antik i teatrit të Adrianopolit, pritet ndërhyrja restauruese (FOTO)

Gjatë ditëve të fundit është dëmtuar një fragment muri antik në sitin arkeologjik të Adrianopolit, në rrethin e Gjirokastrës. Muri i dëmtuar në një sipërfaqe prej 3 metër katror dhe ndodhet në pjesën e teatrit antik. Ai shërben si mur mbajtës në pjesën e djathtë të shkallareve të gurta. Duke qenë se fragmenti i murit të dëmtuar  ka një sipërfaqe të konsiderueshme, në qoftë se nuk do të ndërhyhet në kohë për restaurimin e tij, rrezikohet që të shembet e gjithë pjesa e ndërtimit në zonën e shkallareve të teatrit antik.

Kanë qenë vizitorët e sitit antik të cilët informuan stafin e Parkut Arkeologjik Antigone-Adrianopol në lidhje me dëmtimin e fragmentit të murit. Sipas drejtuesit të Parkut Arkeologjik, Shkëlqim Guçe do të nisë puna për restaurimin e pjesës së dëmtuar të teatrit antik. “Ne kemi marrë informacionin e duhur për murin antik të shembur, kemi parë nga afër situatën dhe po përgatisim ndërhyrjen konkrete për restaurimin e pjesës së dëmtuar”, shprehet Guçe.

Në këto ditë të sezonit të ri turistik vizitorët vendas dhe të huaj të pranishëm në Adrianopolin  antik përballen edhe me mungesën e sinjalistikës informuese. Përgjatë segmentit rrugor që të çon në këtë pike si dhe në zonat e ndryshme të sitit arkeologjik mungojnë tabelat informuese duke e bërë të vështirë guidën turistike.  “Vendosja e tabelave  informuese do ta bënte më të bukur dhe të veçantë vizitën tonë në Adrianopolin antik  Në këtë mënyrë do të mësonim edhe më shumë për historinë dhe vlerat e këtij qyteti antik”, thotë Ernesto Kono, një turist nga Italia.

Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik Antigone-Adrianopol përgjatë muajit maj në këtë sit arkeologjik do të nisë edhe vendosja e tabelave orientuese dhe informuese për grupet turistike. “Adrianopoli do të jetë në qendër të projekteve tona restauruese dhe mirëmbajtëse përgjatë gjithë muajit maj duke e bërë qendër të zhvillimit të turizmit kulturor”, pohon Guçe.

Qyteti antik i Adrianpolit ndodhet në fushë të hapur 14 km në jug të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër- Sarandë. Megjithëse gërmimet arkeologjike të kryera në të kanë nxjerrë në dritë vlera të reja sërish ky sit simbolizohet me teatrin e gurtë. Teatri antik i Adrianopolit datohet rreth dhjetëvjeçarëve të mesit të shek. II p.e.s.

Ai ka një kapacitet prej 4000 spektatorësh dhe është i pajisur me 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Teatri për nga mënyrë e punimit të mureve ofron më tepër me teatrin e Butrintit. Gjatë viteve të fundit falë edhe gërmimeve arkeologjike si dhe promovimit të vazhdueshëm Adrianopoli antik po vizitohet nga një numër në rritje turistësh duke u kthyer në nxitës të zhvillimit të turizmit në zonën e Gjirokastrës dhe më gjerë./konica.al