Denoncohet për shpërdorim detyre në prokurori kryebashkiaku i Këlcyrës

12714016_1098572906840238_1858772641_nKryetari i Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni është denoncuar në prokurorinë e Përmetit për shpërdorim detyre. Kallëzimi është bërë më 20 janar të këtij viti nga shtetasi A. Brahollari. Kallëzimi ndaj kryebashkiakut përmban 8 pika dhe sipas dokumentit të nënshkruar nga pala akuzuese, Ndoni ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës “për moskryerje me dashje të veprimtarive në kundërshtim me ligjin “Për urbanistikën”,ligjin “Për gjendjen civile”, ligjin “Për auditin” dhe ligjin “Për pushtetin vendor”.

Vetë Brahollari dje ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare” se të gjitha abuzimet e bëra nga kreu i Bashkisë së Përmetit i ka të dokumentuara. Paditësi bëri me dije (referuar edhe kallëzimit të bërë në prokurori) disa nga akuzat ndaj kryebashkiakut: 1. Ka lidhur kontratë shitblerjeje trualli prej 306 m2 në Këlcyrë, duke shkelur ligjin nr 7980, datë 27.07.1995. 2. Nuk ka zbatuar vendimet e marra nga auditimi i Qarkut Gjirokastër për periudhën 2011-2012.

Në auditim janë pasqyruar dëmet ekonomike të shkaktuara Bashkisë Këlcyrë nga disa subjekte. 3. Ndërtim objekti pa dokumentacionin e duhur urbanistik e ligjor. Objekti është ndërtuar para zgjedhjeve të 2015-ës në shkelje të nenit 75 të ligjit “Për urbanistikën”. 4. Në kundërshtim me ligjin “Për gjendjen civile” mban të komanduar prej tri vitesh punonjësen, duke mos zbatuar urdhrin nr. 1366, datë 19.08.2006. I kontaktuar nga “GSH”, Klement Ndoni pranoi së është në dijeni të kallëzimit të 53-vjeçarit, ndërsa hodhi poshtë akuzat e ngritura.

Kryebashkiaku tha se deri tani ende nuk është thirrur nga prokuroria, e cila ka kërkuar të gjitha materialet për të vërtetuar akuzat e ngritura ndaj tij. “Jam në dijeni të kallëzimit dhe kam vënë në dispozicion të prokurorisë së Përmetit të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Akuzat janë të pabaza dhe nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe aq më pak elementë të veprës penale”, pohoi kryebashkiaku socialist i Këlcyrës./Gazeta Shqiptare/