Deputeti i Gjirokastrës: Rama të prishë koalicionin, baza kundër LSI-së
Deklarata e Ministres Gjosha dhe Ministrit Panariti se pas zgjedhjeve duhet që Ilir Meta të jetë Kryeministër, nuk i kanë pëlqyer deputetit socialist të Gjirokastrës, Vladimir Kosta. Sipas deputetit, Kryeministri duhet të dëgjojë bazën socialiste dhe të divorcohet nga aleati i saj në qeverisje dhe të dalë në zgjedhje pa të.
Thirrjet e përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti, të cilët kërkojnë që Kryeministri i ri të jetë Ilir Meta, nuk u ka pëlqyer disa përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Një nga ata është edhe deputeti i Gjirokastrës, Vladimir Kosta, i cili në një status të tij në facebook, ka kërkuar divorcin e koalicionit.
Kosta: Unë shkrova mendimin e bazës, baza nuk e ndjen të përshtatshme aleancën me LSI. Nuk është ndarje e drejtë.
Sipas deputetit Kosta, LSI duhet të sillet si aleate edhe publikisht, ndërsa i bëri thirrje Kryeministrit të dëgjojë bazën socialiste dhe të mos përsërisë gabimin e vitit 2013.