Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, PD akuzon Kokëdhimën

Keshilli Bashkiak.Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës e parashikuar të zhvillohej ditën e sotme është shtyrë, për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të këshilltarëve për vijimin normal të mbledhjes. Por ndërkohë kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, akuzon për këtë që ndodhi koordinatorin e PS-së për rajonin e jugut, Koço Kokëdhima. Ja çfarë shkruan Bejko:

“Në orën 11 50 minuta, ne këshilltarët e djathtë njoftohemi nga Kryetari i Këshillit të Bashkisë se mbledhja e këshillit nuk do të zhvillohet pasi grupi i tyre socialist në atë orë ishte thirrur në një mbledhje të “rëndësishme” partie dhe sipas tij mbledhja e këshillit do të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërkohë në po ato çaste pata një telefonatë nga një këshilltar i LSI -së i cili më njofton se këshilltarët e LSI së bashku me këshilltarët e djathtë bënin shumicën e mjaftueshme për të vazhduar mbledhjen . Ne si grup ramë dakord të vazhdonim, por në 11:55 njoftohemi nga LSI se edha ata nuk do të mernin pjesë në mbledhje.

Në orën 12:00 këshilltarët e djathtë, sekretari i këshillit bashkiak dhe mediat zumë vendet në sallën e braktisur nga kualicioni i majtë PS-LSI në pushtet”, thotë Bejko.

Në vijim Bejko thotë se “nga burime të sigurta brenda PS dhe LSI mësuam se thelbi i mbledhjes politike kish të bënte me mosmarveshjet e kualicionit tp tyre për ndarjen e tortës së pushtetit bashkiak në Gjirokastër pasi sot do diskutohej dhe miratohej struktura e Bashkisë si dhe paketa fiskale”.

Deputeti Kokëdhima ishte sot në Gjirokastër, ku zhvilloi një takim me përfaqësues lokalë të PS-së, për të diskutuar procesin e reformimit të brendshëm të PS-së dhe zgjedhjen e strukturave të reja.