Detaje nga vdekja e elektriçistit në Libohovë

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Trupi i pajetë i elektriçistit Vangjel Zera do të qëndrojë në morgun e spitalit rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës. Pritet që gjatë ditës së nesërme, me prezencën edhe të specialistëve nga Tirana, do të krhyet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së tij. Burime nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, flasin për dy pista të mundshme.

E para, që 60-vjeçari Zera të jetë rrëzuar nga shtylla, pasi i janë këputur rripat e këmbalecave. E dyta, dyshohet se ai mund të ketë rënë në kontakt me energjjinë elektrike, ç’ka i shkaktoi vdekjen dhe më pas rrëzimin nga shtylla.

Sidoqoftë ekspertiza do të tregojë shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Grupi hetimor ka marrë në pyetje personat që ishin me Zerën në momentin e ngjarjes. Trupi i tij u nis për në spitalin e Gjirokastrës fillimisht me një makinë të ndodhur aty pranë, ndërsa në një pjesë të rrugës u vendos në autoambulancë. Por për fat të keq ai mbërriti i pajetë në spital.

Në pyetje do të merren edhe përfaqësues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Gjirokastër, për të sqaruar punën që i ishte ngarkuar Vangjel Zerës në momentin kur ndodhi ngjarja. Deri më tani flitet se ai po punonte në investimin që kryhej nga OSHEE në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Libohovë, por nuk përjashtohet mundësia që Zera të ishte në atë zonë për defekte rutinë në rrjet apo për ndërprerje të energjisë në familjet debitore.

Kjo pritet të zbardhet nga hetimet në ditët e ardhshme. Mundësia që ai të ishte ngjitur në shtyllë pa u siguruar është e vogël, po të kemi parasysh së bëhet fjalë për një elektriçist me përvojë dhjetra vjeçare, ç’ka do të thotë se i ka njohur mirë protokollet e sigurisë në profesionin e tij. Megjithatë hetimet për këtë ngjarje do të zbardhin më shumë. 60-vjeçari nga fshati Labovë e Sipërme ishte një prej njohësve më të mirë të rrjetit elektrik në zonën e Libohovës dhe fshatrave përreth.

|Libohova Online|