Dilemat e Bashës për Gjirokastrën. Emrat që pritet të kandidojë

Pas marrëveshjes Rama-Basha, opozita do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Brenda datës 26 maj do të bëhet regjistrimi i partive opozitare në KQZ dhe lista e kandidatëve për deputetë.

Ndonëse puna për emrat që do të jenë në listat e PD-së ka nisur prej kohësh në heshtje, gjatë këtyre ditëve do të bëhen edhe lëvizjet më të rëndësishme.

Lulzim Basha ka plot dilema edhe për qarkun Gjirokastër, aty ku PD fitoi vetëm një mandat në zgjedhjet e vitit 2013. Po kush do të jetë pjesë e listës së Gjirokastrës? Emrat që përfliten më shumë janë këta:

Tritan Shehu, i deleguari i PD-së për Gjirokastrën.

Roland Bejko, kreu i PD Gjirokastër.

Altin Çomo, ish-kryebashkiak i Libohovës.

Mimoza Çomo, ish-prefekte e Gjirokastrës.

Kosta Barka, ish-ministër i Punës.

Eshref Shehu, anëtar i Kryesisë së PD-së në Tepelenë.

Theodhoraq Vangjeli, anëtar i Kryesisë së PD-së në Përmet.

Por veç këtyre në tryezën e Bashës janë edhe tre emra të tjerë: Enno Bozdo, Tomor Alizoti dhe Reila Bozdo. “Beteja” bëhet për vendin e parë dhe të dytë, pasi pritshmëritë e PD-së në Gjirokastër nuk shkojnë më shumë se dy mandate deputetësh.

Me shumë mundësi Basha kryesuesin e listës do ta sjellë nga Tirana, duke lënë vendin e dytë për Roland Bejkon apo Altin Çomon. Ajo që shihet me shqetësim në Gjirokastër janë dy klanet brenda PD-së në këtë qark.

Nga njëra anë janë ish-drejtuesit e mbështetur prej deputetit Genc Ruli, ndërsa nga ana tjetër janë drejtuesit e rinj të ardhur nga Basha pas humbjes së vitit 2013. Mbetet për t’u parë se cilët emra do të zyrtarizohen dhe si do të jetë rezultati i PD-së në këtë qark.

/ArgjiroLajm.net/