Do udhëtoni jashtë shtetit? Shikoni datën e pasaportës sepse mund të ktheheni në kufi

1450897861pasaporte-biometrikeNë prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bëri apel të gjithë shtetasve të verifikojnë datën e lëshimit të pasaportës së tyre. Kjo për shkak të reduktimit të vlefshëmrisë për pasaportat e lëshuara gjatë periudhës prill 2009  deri ne korrik 2010 për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç. Ashtu siç është bërë e ditur në këto pasaporta është bërë një gabim dhe megjithëse kanë të përcaktuar një afat 10-vjeçar, për të miturit, janë të vlefshme për një periudhë vetëm 6 vjeçare duke filluar nga data e lëshimit.

Kjo u be e mundur vitin e kaluar pas shtyrjes me 1 vit te vlefshmërisë së këtyre dokumentave biometrike, për gjithë pasaportat e lëshuara me afat vlefshmërie të gabuar 10 vjeçar.

“Bëjmë me dije se këto pasaporta edhe pse kanë afat 10 vjeçar, nuk janë të vlefshme, në rast se ka kaluar afati 6 vjeçar. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetareve që para se të nisen për të udhëtuar jashtë shtetit, të kontrollojnë afatin e vlefshmërisë së pasaportës së fëmijëve të tyre” – thuhet në njoftimin e ministrisë së brendshme.

Ajo vëren se në disa Pika të Kalimit të Kufirit, janë evidentuar raste të refuzimit të daljes për arsye të pavlefshmërisë së pasaportave të fëmijëve dhe se ky refuzim është i pashmangshëm.

Çdo shtetas që udhëton jashtë Shqipërisë duhet ta ketë vlefshmërinë e pasaportës mbi 3 muaj, nga  dita e daljes në kufi.