Dokumenti i vitit 1993, PBDNJ kërkonte bashkimin e Himarës me Vranishtin

himaraPartia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kundërshton aktualisht bashkimin e Himarës me Vranishtin, sikundër propozon varianti i qeverisë në projektin për ndarjen e re territoriale të vendit, më herët ka insistuar fort që bashkimi i tyre në një zonë administrative duhej të ndodhte. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht një letër të kryetarit, aso kohe të Komunës së Himarës, Odise Goro, i zgjedhur në këtë post si përfaqësues i PBDNJ-së, i cili i drejtohej në 24 Janar 1993, Presidentit të kohës, Sali Berisha, ku i lutej të ndikonte që Himara të bëhej rreth duke u bashkuar pikërisht me Vranishtin.

Me ligjin Nr.7572, datë 10.06.1992 “Për organizimin dhë funksionimin e pushtetit lokal”, Himara kishte mbetur Komunë. Për këtë arsye kryetari i saj, Odise Goro, e cilësonte këtë ligj të padrejtë për komunitetin himariot. Në letrën drejtuar Berishës ai këmbëngulte fort që Himara të bëhej rreth duke bashkuar me të, ata që ai i cilësonte si vëllezërit e Vranishtit, Kuçit, Tërbaçit e fshatrave të tjerë.