Drejtorët e LSI në Gjirokastër refuzojnë të largohen. Paradite në punë, pasdite bëjnë opozitë kundër qeverisë
Javën që lamë pas dy drejtorë përfaqësues të Partisë Socialiste në Gjirokastër u larguan nga posti që mbanin. Është fjala për Dino Selimin, drejtor i Shërbimeve të Transportit Rrugor apo siç njihet ndryshe drejtoria e patentave dhe targave, si dhe Shpëtim Novi, drejtori i Shëndetit Publik.
Atyre u është kërkuar largimi nga eprorët, në mënyrë që t’i hapin rrugë një përzgjedhjes me konkurs të emrave të rinj që do të drejtojnë këto institucione. Me siguri që largime të tjera do të ketë në ditët e ardhshme. Ajo që vihet re, është se nga njëra anë janë drejtorët e emëruar nga PS-ja të cilët dorëhiqen pa bërë zë, ndërsa nga ana tjetër janë drejtorët e emëruar nga LSI-ja që vazhdojnë të bëjnë rezistencë, pavarësisht se largimi u është kërkuar edhe atyre më herët.
LSI është në opozitë që prej 25 qershorit, por vazhdon të jetë ende në qeveri me njerëzit e mëruar prej saj nëpër drejtori dhe poste të tjera të administratës. Si për karshillëk ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e fundit, disa prej drejtorëve të LSI-së ishin pjesëmarrës edhe në takimin e Monika Kryemadhit tre ditë më parë në Gjirokastër. Pra, nga njëra anë vazhdojnë të jenë në krye të institucioneve, nga ana tjetër i bashkohen aksionit të LSI-së kundër kësaj qeverie. Janë njëkohësisht edhe në pushtet ku marrin rrogën edhe në opozitë kur vjen puna për të akuzuar këtë qeveri si të lidhur me bandat e drogës.
Të kupohetmi, nuk bëhet fjalë për profesionistë apo njerëz që janë aty për merita profesionale si teknicienë apo menaxherë të zotë. Por janë thjesht emërime politike të bëra nga deputeti Vangjel Tavo në kohën kur LSI ishte në koalicion me PS-në. Me porosi të Vangjel Tavos, këta drejtues të LSI-së mbrohen me pretendimin se postet që mbajnë nuk janë politike, prandaj bëjnë rezistencë me shpresën se do të shkarkohen. Kjo do t’i çonte më pas në dyert e gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim disa paga.
Në një situatë të tillë, përkrahës të PS-së në Gjirokastër ndiehen të frustruar dhe po ushtrojnë presion ndaj deputetëve të qarkut për të ndikuar që njerëzit e LSI-së të largohen nga administrata. Nuk është e qartë ende se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm, por gjasat janë që Rama ta tolerojë ‘bashkëqeverisjen’ me drejtorët e LSI-së maksimumi edhe për këto dy muaj të mbetur të vitit. Me buxhetin e ri dhe nisjen e reformës në administratën publike, shumë prej njerëzve të LSI-së do të shkarkohen për t’u zëvendësuar me drejtues të tjerë nga radhët e socialistëve.
Por cilat janë institucionet që sot mbahen ende nga njerëzit e LSI-së në Gjirokastër?
Drejtoria Rajonale e Institutit të Sigurimeve Shoqërore- Spiro Diamanti
Drejtoria Rajonale e Bujqësisë- Koçi Rapi
Drejtoria e Arkivës Gjirokastër- Eri Ndreu
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve- Filip Vito
Bordi i Kullimit- Kristaq Xha
Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve- Nikolla Buka
Drejtoria Rajonale e Tatimeve- Ahmet Çabej
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve- Kristaq Thimio
©ArgjiroLajm.net