E rrallë/ Bashkia Gjirokastër shpall konkurrim për dy vende të lira pune

Bashkia GjirokasterNëse Shqipëria do të ishte një vend normal, ku punësimet në administratën publike do të bëheshin konform procedurave transparente dhe me konkurrim të hapur, s’do të përbente aspak lajm që një institucion shpall njoftim për vende të lira pune.

Kishte për të qenë thjesht një procedurë rutinë. Por ja që ne nuk jemi një vend normal, prandaj shkakton habi që pas kaq e kaq vitesh Bashkia Gjirokastër ka shpallur vende të lira pune.

Përmes një njoftimi në internet kjo bashki thotë se kërkon të punësojë dy punonjës në zyrën e gjendjes civile në Gjirokastër dhe Lunxhëri. Nuk dihet se sa serioz është ky konkurrim dhe nëse realisht ato dy vende pune do i shkojnë dy njerëzve që i meritojnë, apo thjesht kemi të bëjmë me një njofim sa për sy e për faqe, ndërkohë që është paracaktuar se kush do të jetë fituesi.

Megjithatë është për t’u përshëndetur nëse i gjithë procesi do të jetë transparentë, si dhe nëse do bëhet konkurrim edhe për vende pune në pozicione të tjera.Më poshtë njoftimi i plotë i Bashkisë Gjirokastër.

NJOFTIM

Bashkia Gjirokastër njofton zhvillimin e procedurës së konkurrimit për vend të lirë pune për punonjës të gjendjes civile, përkatësisht 2 vende, në Gjirokastër dhe Njësinë Administrative Lunxhëri.

Kriteret e pranimit në detyrë për nëpunësin e zyrës së gjendjes civile

  1. Të jetë shtetas shqiptar
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar
  3. Të ketë arsimin e lartë
  4. Të ketë njohuri të mira të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 « Për gjendjen civile » të ndryshuar, të ligjit nr. 8951, datë 10.10.2002 « Për numrin e identitetit të shtetasve », të ndryshuar ; të ligjit nr. 8952, datë 10.10.2002 « Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë », i ndryshuar ; të ligjit nr. 9062, datë 08.05.2003 « Kodi i Familjes » ; të ligjit nr. 9154, datë 06.11.2003 « Për arkivat » ; të ligjit « Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore » ; të ligjit « Për Prefektin » si dhe aktet nënligjore të miratuara në bazë dhe për zbatim të ligjeve të sipërcituara.
  5. Të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë.
  6. Të ketë njohuritë bazë të punës në kompjuter.
  7. Të ketë aftësi të mira komunikuese.

Të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile ose Bashkisë Gjirokastër dokumentet e mëposhtme :

  1. Kërkesë personale për vendin e punës
  2. CV (Curriculum Vitae)
  3. Diplomë e shkollës së lartë (fotokopje e noterizuar)
  4. dëshmi penaliteti e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila duhet nxjerrë jo më parë, e cila duhet nxjerrë jo më parë se tre muaj nga data e zhvillimit të testimit
  5. Çertifikatë e njohurive bazë për përdorimin e kompjuterit.
  6. Fotokopje e letërnjoftimit
  7. Fotokopje e Librezës së Punës, nëse ka qenë më parë në marrëdhënie pune

Afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit është data 29 Shkurt 2016. Mungesa e njërit prej dokumenteve të mësipërme apo pavlefshmëria e dokumenteve sjell skualifikimin e konkurrentit.

Testimi do të zhvillohet në datën 7 mars, në mjediset e Institucionit të Prefektit të Qarkut Gjirokastër.