Edi Rama i bën homazh vajzës nga Libohova, Sabiha Kasimati: Një hijeshi shqiptare që iu bë hije regjimit gjakatar komunist

Nga Edi Rama

?HOMAZH

SABIHA KASIMATI ishte një hijeshi shqiptare që iu bë hije regjimit gjakatar komunist. E asgjësuan sepse nuk e nënshtronin dot. Kasimatët e sojmë prej Libohove nuk ishin një oxhak parësie, por një vatër fisnike tradite, diturie dhe atdhedashurie e dorës së parë. Ishin një shtëpi që në breza kishte gjalluar nga juriskonsultët, mjekët dhe shërbyesit e interesit publik. Të gjezdisur e me syrin hapur, jetonin si europianë ne Adrianopojë, si arbërorë në Karaferie e si shqiptarë të mirëfilltë në mes të Korçës. Kur u vendosën në Korçë, konakun e bënë jo në kasaba por në varosh, në Jeni Mëhallë, në lagjen e krishterë. Pozitivistë e mendjehapur, ishin vëllazërorë me të gjithë e nuk ndikoheshin nga fjalët dhe pëshpërimat e sokakëve.

Në këto sokake bareste për të shkuar në liceun francez, nxënësja e parë femër e këtij institucioni kult të paraluftës, vajza e vetme e familjes, Sabihaja. E lindur në Adrianopojë (Edernë) më 15 shtator 1912, kur nuk kishte ende Nënë Shqipëri, Sabiha Kasimati do të jetë, si Musine Kokalari, ikona e Shqipërisë Vajzë, që thyente tabu dhe farëzonte shembull, që tabu kishte forcën dhe që autoritarizmin e frustruar e nxirrte në dritë siç vërtet ish: një maskaradë tragjikomike.

Shkollën, studimet, pasionin për shkencat e me posaçërisht për simbolin e hershëm të martirëve, ichtus, peshkun, në shenjën e të cilit brendashkroi jetën e saj të shkurtër, Sabihaja i përjetoi me intensitet, duke u bërë referim i gjithë një brezi. Hijeshia e Saj u ndesh megjithatë me dritëhijet e një paslufte mizore tek laheshin hesape me ata që borxh nuk ja kishin në fakt askujt.

E para femër në emancipim, si e para nxënëse e një liceu, Sabihaja ishte e përgatitur me sa duket nga jeta, për të qenë e para edhe në therori. E vetmja grua ndër të pushkatuarit e pafajshëm e pa proces të së ashtuquajturës bombë të Ambasadës sovjetike, ishte po ashtu e vetmja ndër ta që verdiktin moral atij regjimi ia dha në të gjallë, me një kumt të paharruar:

“Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studiuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

Masakrimi çnjerëzor i asgjësoi trupin, por jo shpirtin e bukur dhe as veprën e madhe, atë të demokrates dhe atë të shkencëtares. Sot e gjithë ditën, këto dy shëmbëllime të së njëjtës hijeshi e bëjnë Hijeshinë e Saj, Sabiha Kasimatin, një ngadhënjyese të madhe, me një trashëgimi shpirtërore e morale gjithmonë për t’u admiruar.
#TëPAHARRUESHËM?