Emërohet drejtori i ri te AZHBR-ja, zëvendëson bashkëshorten e Vangjel Tavos

Zv/Kryeministrja Ledina Mandija prezantoi sot  drejtuesin e ri të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, z. Fadil Shahini. Mandija u tha punonjësve të AZHBR-së se ky emërim është bërë në marrëveshjen politike të 18 majit mes palëve politike. Më herët këtë institucion e drejtonte Suela Popa, bashkëshortja e deputetit Vangjel Tavo.

Zv.kryeministrja, edhe ajo e emëruar sipas marrëveshjes Rama-Basha kërkoi nga drejtuesit e institucionit të mos fillonin asnjë prokurim publik, koncesion apo partneritet publik–privat deri në përfundim të fushatës zgjedhore.

Ajo i tha punonjësve të mos angazhohen në aktivitete elektorale gjatë orarit të punës dhe që pas orarit të punës të të respektojnë kufizimet e përcaktuara nga kuadri ligjor në fuqi për të mos shprehur publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike duke ndërmarrë veprime që konsistojnë në bërjen fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, qenien protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo manifestimin me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.