Emërohet kryeprokurori i ri i Gjirokastrës

Në krye të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Gjirokastër është vënë Julian Cafka. Emërimi i Cafkës erdhi pas shkarkimit nga KPK të prokurorit Arben Pasho.Vendimi për emërimin e Julian Cafkës u mor në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Arben Pasho nuk e kaloi dot vettingun për shkak të problemeve me pasurinë.  Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar, komisioni ngriti pikëpyetje për pasurinë dhe profesionalizmin e kryeprokurorit të Gjirokastrës.

Pozita e Pashos u rëndua më shumë edhe nga një marrëdhënie financiare me një biznesmen, që ishte denoncuar tre herë – në një rast për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte pushuar hetimet pa ngritur akuzë.

Arben Pasho ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej vitit 2011 ai mbante postin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.