Emigrantët mund të konvertojnë patentat, ja procedurat e dokumentet

Patenta_shqiptare_mbas-300x190Të gjithë emigrantët mund të konvertojnë patentat e marra nëpër vendet ku jetojnë, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen kurseve për marrjen e leje drejtimit në vend. Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe punonjësit e huaj të Ambasadave ose të Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri.
 
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor ka publikuar hapat që duhen hedhur për të konvertuar patentat. Sipas saj, njehsohen (konvertohen) në leje drejtimi Shqiptare leje drejtimet e vlefshme të shtetasve të lëshuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, SHBA-ve, Kanadasë dhe vendeve që janë palë në konventat dhe marrëveshje të kombeve të bashkuara në fushën e leje drejtimeve që kanë marrë lejen e banimit në Republikën e Shqipërisë.
 
Aplikimi për njehsim leje drejtimi, nga një shtetas shqiptar ose i huaj, rezident në Shqipëri, kryhet në zyrën e pranimit të degës së drejtuesve të mjeteve të Drejtorive Rajonale përkatëse, ndërsa aplikimi për personelin e huaj të Ambasadave ose të Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri, kryhet në DPSHTRR.
 
Dokumentet që duhen janë:
I. Për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, rezidentë në Shqipëri:
– Kërkesë e aplikantit;
– Fotokopje e lejedrejtimit të vlefshëm, e lëshuar nga shteti përkatës e përkthyer në gjuhën shqipe dhe e legalizuar nga noteri;
– Dokumenti i identifikimit i cili pasi fotokopjohet nga pranuesi i kthehet aplikantit, ndërsa për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte, të legalizuar nga noteri;
– Vërtetimi i banimit, lëshuar nga organi i pushtetit vendor (kandidati duhet të ketë vendbanimin brenda juridiksionit ku ushtron veprimtarinë Drejtoria Rajonale. Shtetasit e huaj dorëzojnë fotokopje të lejes së qëndrimit, e vlefshme, të lëshuar nga organet e policisë së shtetit, të legalizuar nga noteri;
– Certifikata mjekësore me fotografi, e lëshuar jo me parë se 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
– Dokumenti i përcaktimit të grupit të gjakut dhe Rehzusit;
– Mandat arkëtimi, prej 200 lekë, për kryerje shërbimi.
 
Drejtoria Rajonale përcjell praktikën (fashikullin) në DPSHTRR, për të vazhduar procedurat.
DPSHTRR komunikon me palën e huaj nëpërmjet MPJ ose direkt sipas marrëveshjeve të lidhura midis palëve.
 
Me kthimin e përgjigjes pozitive lidhur me vërtetësinë e leje drejtimit (konfirmimi) bëhet hedhja në sistem e të dhënave të leje drejtimit të huaj nga ana e specialistëve të DPSHTRR.
Konfirmimi së bashku me praktikën i përcillet Drejtorisë Rajonale.
 
Procedura e njehsimit të leje drejtimit varet nga koha e kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve lëshuese të lejes së drejtimit të huaj.
 
Përpara aplikimit elektronik qytetari duhet të shlyejë detyrimet financiare për pajisje me leje drejtimit sipas tarifave në fuqi, prej 3500 lekë, si dhe duhet të dorëzojë leje drejtimin origjinal e cila i dërgohet zyrtarisht DPSHTRR-së, për t’ia përcjellë shtetit që e ka lëshuar.
 
Brenda 7 ditëve pas aplikimit elektronik për pajisje me leje drejtimi, aplikanti paraqitet në zyrat e Drejtorisë Rajonale për të tërhequr leje drejtimin shqiptare.
II. Për personelin e huaj të Ambasadave ose të organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë
statusin diplomatik në Shqipëri:
 
Dokumentet që dorëzojnë diplomatët, për njehsim (konvertim) të leje drejtimit janë:
– Shkresë nga MPJ së bashku me notën verbale të lëshuar nga Ambasada ose
Organizata Ndërkombëtare;
– Fotokopje e kartës së legjitimitetit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme
e legalizuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare;
– Fotokopje e pasaportës e përkthyer dhe e legalizuar nga Ambasada ose
Organizata Ndërkombëtare;
– Fotokopje e leje drejtimit përkatëse (kombëtare) të përkthyer dhe të legalizuar nga Ambasada ose nga Organizata Ndërkombëtare;
– Certifikata mjekësore me fotografi, lëshuar jo më parë se 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
– Dokumenti i përcaktimit të grupit të gjakut dhe Rehzusit.
Këto dokumente dorëzohen pranë DPSHTRR nga ana e MPJ.
 
Nga DPSHTRR bëhet hedhja në sistem e të dhënave të lejedrejtimit të huaj.
 
Konfirmimi arkivor së bashku me praktikën i përcillet Drejtorisë Rajonale në juridiksionin e të cilës ka vendbanimin diplomati.
 
Diplomati paraqitet pranë kësaj Drejtorie për aplikim elektronik për pajisje me lejedrejtimi.
Përpara aplikimit elektronik diplomati duhet të shlyejë detyrimet financiare për pajisje me lejedrejtimi, prej 3500 lekë dhe pajiset me lejedrejtimi shqiptare.
 
Vlefshmëria e lejedrejtimit është në varësi të moshës dhe kategorisë.