“Enveri nuk e dinte që partizanët kishin djegur shtëpinë e Avni Rustemit”

shtepiaDitari i Haxhi Kroit, ish-shefi i kabinetit i kreut të regjimit komunist, Enver Hoxha.

“Gjatë luftës aty jetonte Qazim Rustemi, nipi i heroit që ishte bërë eksponent i Ballit Kombëtar” . Enveri: Dëshmorët që bënë gabime, s’i shpallim heronj. 

Ka qenë viti 1974, kur për herë të parë Enver Hoxha ka mësuar se shtëpinë e Avni Rustemit në Libohovë e kanë shkatërruar. Haxhi Kroi, shefi i kabinetit të kreut të regjimit dhe një nga nipërit e Heroit të Popullit që bëri bujë me atentatin kundër Esat Pashës në Paris, në vitin e largët 1924, duke iu kthyer kësaj ngjarjeje, në shënimet e datës 22 prill 1974 shkruan: U ktheva nga festimet me rastin e 50- vjetorit të vrasjes së Avni Rustemit dhe i tregova shokut Enver për aktivitetet e kryera në Libohovë.

Kur ra fjala dhe mori vesh se shtëpia e Avniut ishte djegur gjatë luftës, sepse në të qëlloi të banonte nipi i tij që qe bërë eksponent i Ballit Kombëtar, tradhtari Qazim Rustemi (daja i Kroit ky-shënim i red.), shokut Enver i erdhi shumë keq që nuk u ndodh një njeri ta shpëtonte këtë objekt me rëndësi të jashtëzakonshme. Përkundër këtij fakti të panjohur nga kreu i regjimit, që kalon me dy-tri fjali, në pjesën tjetër të kujtimeve nga ky përvjetor, sekretari i Hoxhës nuk ngurron të sjellë mbresat nga takimet e gostitë me zyrtarët lokalë, të cilët, siç pohon, nuk e kanë lënë për asnjë moment të pushojë i qetë. Sakaq, zyrtari që ka drejtuar 40 vite me radhë kabinetin e diktatorit, duke iu referuar zhvillimeve të periudhës prill-maj 1974, pohon se kjo ka qenë koha kur Hoxha ishte mysafir në zyrën e tij në KQ.

Madje edhe në rastet e rralla që shfaqej aty, sipas sekretarit personal, qëndronte jo më shumë se dy orë. Problemet me shëndetin pas goditjes në zemër dhe moti i mbrapshtë me stuhi, madje dhe me borë si asnjëherë, shkruan Kroi, e detyrojnë shokun Enver që më së shumti ta drejtojë Partinë nga shtëpia. Në këto kushte, udhëheqësi është vënë jo vetëm në kujdesin e veçantë të të shoqes Nexhmije, vëren Kroi, por edhe të liderëve të tjerë të Komitetit Qendror, të cilët bëjnë të pamundurën për të lehtësuar ngarkesën e tij. Me një porosi të Hysni Kapos, që përgjigjet drejtpërdrejt në Byronë Politike për shëndetin e Enverit, këtij të fundit nuk i shkojnë më letrat nga populli, për të cilat dikur konsumonte orë të tëra në zyrë…

Ditari i vitit 1974
8 prill 1974
Shoku Enver erdhi në zyrë në orën 9:45 dhe u largua në orën 12:45.

9 prill 1974
Shoku Enver erdhi papritur në zyrë dhe më pyeti kur do të zhvillohej mbledhja e përgjithshme e komunistëve të aparatit të KQ. Në fakt, ne kishim marrë masa që ai të mos vinte, por sa e kishte marrë vesh, erdhi menjëherë.

10 prill 1974
Në orën 9:00 u bë ceremonia e dekorimit të shokut Piro Kondi, punonjës i vjetër i aparatit të KQ me rastin e 50- vjetorit që mbushi sot. Kur u largua shoku Enver nga zyra në orën 11:40, la mbi tavolinë një projekt vendim të pafirmosur. Në projektin e kuadrit që propozohej që Pirro Koçi të caktohet përfaqësues i përhershëm i vendit tonë në OKB për ushqimin dhe bujqësinë, ai ka shkruar për Pirron: “As e nxjerr qimen nga qulli. Caktoni një tjetër që të çalltisë dhe jo sa për emër”.

12 prill 1974
Sot shoku Enver nuk doli. Koha ishte shumë e vranët, e ftohtë dhe me shi. Vizita që ishte caktuar për t’u bërë në uzinën “Traktori” u shty, kur të përmirësohet koha.

15 prill 1974
Shoku Enver nuk doli në zyrë. Kohë me shi dhe relativisht pak e freskët.

16 prill 1974
Shoku Enver nuk doli në zyrë. Njoftova shoqen Nexhmije që nesër shoku Petro Dode ka 50-vjetorin e ditëlindjes.

17 prill 1974
Shoku Enver erdhi në zyrë rreth orës 12:00. Më parë hyri shoqja Nexhmije në zyrën time. Ajo më tha që të porosis administratën të mos përdoret benzinë gjatë pastrimit të korridoreve dhe ambienteve të tjera, se nuk e duron dot shoku Enver. Një moment kur shoku Enver dhe Nexhmija ishin në zyrë, Sulo Gradeci më tregoi për një ngjarje shqetësuese, që kishte ndodhur në kohën kur ata kishin qenë duke dalë nga familja e Petro Dodes. Para se shoku Enver dhe Nexhmija të futeshin në automobil, më tha Sulua, një i panjohur që mbante një çantë në dorë, iu drejtua t’i jepte një letër, duke i thirrur: “Shoku Enver, shoku Enver”. Oficerët nuk e lanë t’i afrohej, por gabimi i tyre është pse e shikonin duke qëndruar e se larguan më parë. Porosita Sulon t’i marrë emrin dhe të pyesim ku punon, ç’njeri është etj.

18 prill 1974
U kthyen stinët së prapthi. Pardje në rrethin e Tropojës ra rreth 30 centimetra borë. Shoku Enver sot doli në zyrë në orën 10:00, por ne i kemi marrë masat. Kaloriferi punon, kemi ndezur edhe sobën me korrent. Temperatura në dhomën e tij të punës shkon 21 gradë e gjysmë. Dhjetë minuta pas ardhjes së shokut Enver telefonoi shoqja Nexhmije, e preokupuar për temperaturën e zyrës. Ajo kujton se nuk ndizen sipas rregullit kaldajat. Po si të mos i ndezim ne?! Mos vallë vlejnë më shumë 30-40 litra mazut përpara shëndetit të shokut Enver?! Jo, sikur edhe nga xhepi t’i paguajmë, këtë nuk e lejojmë. Shëndeti i shokut Enver është për të mirën e popullit. I thashë shoqes Nexhmije që janë marrë masat dhe ajo u qetësua.

19 prill 1974
Shoku Enver nuk doli në zyrë. Shokut Ramiz i mora leje për të shkuar në Libohovë, ku do të organizohet një veprimtari përkujtimore me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së Avni Rustemit.

22 prill 1974
Në bisedë me shokun Enver i tregova për mbresat nga festimet e bëra në Libohovë me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së Avni Rustemit. I tregova së pari për aktivitetet që u zhvilluan në Libohovë. Kur ra fjala dhe mori vesh se shtëpia e Avniut ishte djegur gjatë luftës, sepse në të qëlloi të banonte nipi i tij, që qe bërë eksponent i Ballit Kombëtar, tradhtari Qazim Rustemi, shokut Enver i erdhi shumë keq që nuk u ndodh një njeri ta shpëtonte këtë objekt që sot do të kishte rëndësi jo vetëm për Libohovën.

23 prill 1974
Sot shoku Enver nuk doli në zyrë, siç duket është duke punuar në shtëpi.

24 prill 1974
As sot shoku Enver nuk doli në zyrë.

25 prill 1974
Shoku Enver erdhi në punë në orën 10:00 dhe u largua rreth orës 13:00. Tërë këto ditë ka një ngritje të epidemisë së gripit, prandaj kërkova një nga mjekët e shokut Enver për të folur me të, që po të jetë e mundur, ai të mos marrë kontakte me njerëzit, deri sa të ulet kjo valë e dendur e sëmundjes. Meqenëse nuk gjeta asnjërin nga mjekët, bisedova me shokun Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, i cili mendon t’i thuhet shokut Enver që të mos dalë në zyrë, pse koha është e ftohtë dhe me lagështi që çon lehtë në pneumoni një organizëm jo të kalitur, përveç që ka epidemi gripi në qytet. Fakt është që nëpër ambulanca ka një rritje prej 25 për qind të vizitave, ndërsa kërkesat për vizita në spitale po rriten.

26 prill 1974
Shoku Enver nuk doli në zyrë.

27 prill 1974
As sot shoku Enver nuk doli në zyrë.

28 prill 1974
Përsëri shoku Enver nuk doli në zyrë.

30 prill 1974
Shoku Enver doli më shpejt se herët e tjera në zyrë, në orën 9:30. Asgjë nuk i referova, përveç njoftimit se nesër babë Myslimi mbush 75 vjeç, ndërsa shoku Haxhi nesër ka 61-vjetorin e ditëlindjes.

3 maj 1974
Megjithëse i lodhur dhe pak me vonesë, shoku Enver doli në zyrë aty nga ora 11:00. Me t’u ulur, ndryshe nga herët e tjera që i raportoja për çështje të ndryshme, më pyeti: “Vijnë letra nga populli, apo jo?”. “Po shoku Enver, vijnë si zakonisht”, iu përgjigja. “Po mua, pse nuk më sillni gjë”, shtoi ai. Ç’është e vërteta që pas kthimit nga sëmundja që zgjati katër muaj, me porosi të shokut Hysni, për të mos e ngarkuar shokun Enver, e vinim në dijeni vetëm për çështje të rëndësishme dhe problemet me letrat nga populli i zgjidhnim me aparatin e KQ. Shoku Enver më tha se tani ishte mirë dhe duhej të njihej me letrat e popullit. Për këtë vura në dijeni shokun Hysni, i cili dha porosi që të merreshin masat që, pa e rënduar, të vinin në dijeni shokun Enver për problemet kryesore.

4 maj 1974
Sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Shkova në shtëpi të tij për çështje pune dhe e gjeta duke rregulluar librat në bibliotekë.

16 maj 1974
Nuk doli në zyrë shoku Enver.

17 maj 1974
Shoku Enver doli në zyrë në orën 10:00. I çova një dosje me disa letra nga populli dhe disa informacione nga Partia. Në informacionin mbi një kërkesë të 11 ish-partizanëve të Brigadës së Tetë flitej për rehabilitimin e dëshmorit Ibrahim Kushta, i cili përpara se të vritej nga armiku, qe shkarkuar për gabime nga detyra e komisarit të batalionit. Ndërkohë që këta 11 partizanë thonë se Ibrahimi qe shkarkuar si pasojë e punës së Niazi Islamit. Në letrën e tyre shoku Enver bëri shënimin: “Çdo gjë mund të riparohet dhe duhet të riparohet kur ka pasur gabime, por nuk mund të harrojmë gabimet dhe t’i fshijmë kur këto janë bërë. Konkretisht, ky shok që u dënua që në kohën e luftës, nuk mund të ketë qenë pa faj dhe sidomos kur konsiderohej shok trim, siç ishte. Ibrahimi ka qenë trim, siç vërtetohet, por kjo nuk përjashton të ketë bërë gabime. Ai u vra duke luftuar, kjo nuk tregon se ai më parë nuk ka bërë gabime dhe i ndërgjegjshëm për ta riparuar gabimin, luftoi burrërisht, edhe pse u bë partizan i thjeshtë. Tani të bësh këtë shok hero, nuk është e drejtë, pse janë vrarë me mijëra që kanë luftuar dhe kanë rënë dhe nuk kanë bërë gabime. Megjithatë nuk janë heronj. Na atakojnë Niazi Islamin. Ky në atë kohë nuk ish tradhtar, ai tradhtoi më vonë. Të ruhemi dhe të evitojmë sentimentalizmat, mburrjet, pasaktësitë në hartimin e historikëve të brigadave. Enveri 17 maj 74″.

Xxx
Një farë Zisi Markali nga Llongua e Gjirokastrës është rikthyer pas një jete të tërë në emigracion. Në letrën që i dërgon shokut Enver, i shkruan me dashuri për ndryshimet që gjeti në krahasim me kohën që ishte larguar jashtë atdheut. Megjithatë, thotë ky, kam parë në shtypin shqiptar se ju keni deklaruar që uji nga burimi del i pastër, por turbullohet poshtë, prandaj ai që e turbullon, duhet të dënohet në bazë të ligjeve. Shoku Ever mbi këtë letër shënoi këto konsiderata të veta: “Unë asnjëherë nuk kam thënë që uji nga burimi del i pastër, por turbullohet poshtë. Kjo do të thotë të mohosh bazën dhe të mbivlerësosh kreun. Uji rrjedh i kulluar lart, në rast se zbaton drejt marksizëm-leninizmin dhe mësimet e Partisë dhe mbështetesh e këshillohesh me bazën, por edhe mund të gabojnë shumë në të kundërtën. Prandaj ujët mund të turbullohet edhe lart edhe poshtë dhe, që të mos turbullohet as lart dhe as poshtë, po edhe të turbullohet ndonjë çikë, e vetmja gjë që e bën ujët të kulluar është autokritika, ndreqja shpejt e gabimeve, kontrolli i Partisë, kontrolli i klasës dhe i masave. Këto kam thënë unë, dhe jo atë që nuk e kam thënë. Enver” /Panorama