Etrit Berisha larg Lacios, Gashin e kërkojnë në Itali

Etrit-BerishaViti 2016 ka filluar me lajme të merkatos për futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, të cilët pritet të ndryshojnë fanellat e klubeve që përfaqësojnë aktualisht. Dy emrat më të lakuar gjatë ditëve të para të merkatos janë të portierit Etrit Berisha dhe sulmuesit Shkëlzen Gashi, të cilët nuk gjejnë hapësira në klubet aktuale dhe kërkojnë një sistemim të ri. Nëse portieri ka vendosur të presë deri në verë për të gjetur skuadrën e re, situata është urgjente për sulmuesin pasi mosaktivizimi te Bazeli i rrezikon vendin e fituar me shumë mund në radhët e kombëtares shqiptare.

E ardhmja e Berishës, që në fillimet e tij te Lacio, ka qenë e lidhur ngushtë me formën e Federiko Marketit. Portieri shqiptar zgjodhi bardhekaltrit para Kievos, me bindjen se dëmtimet e njëpasnjëshme të portierit italian do ta kthenin në një titullar te klubi i Serisë A. Por Lacio thuajse asnjëherë nuk i besoi plotësisht Berishës dhe me kthimin në formën më të mirë fizike të Marketit, ka vendosur që t’i ofrojë 32-vjeçarit rinovimin e kontratës. Kësisoj, për portierin shqiptar bëhet gjithçka më e vështirë, edhe për faktin se në verë, Lacios do t’i bashkohet kroati 25-vjeçar Lovre Kaliniç. Ky i fundit vjen me qëllimin për t’u bërë portier i dytë te Lacio, duke i hequr Berishës ato pak mundësi aktivizimi që kishte në Kupën e Italisë apo Europa League. Sipas mediave italiane, pas këtyre lajmeve, portieri i kombëtares shqiptare ka vendosur që t’i japë lamtumirën Lacios, i bindur se në këtë klub nuk do të ketë të ardhme. Por gardiani 26-vjeçar nuk do të ndryshojë ekip që në janar. Ai do të presë përfundimin e Euro 2016 për të zgjedhur destinacionin e radhës, pasi në këtë aktivitet do të monitorohet nga klubet që interesohen prej kohësh për të dhe çdo paraqitje e mirë me fanellën kuqezi do të rritë vlerën e tij në merkato.

Lëvizja drejt një klubi tjetër që në janar është kthyer në detyrim për Shkëlzen Gashin, i cili ka përfunduar jashtë planeve të Bazelit. Futbollisti është treguar një profesionist i vërtetë, duke mos shprehur në asnjë moment publikisht pakënaqësinë e tij për situatën e krijuar dhe për injorimin që i është bërë nga ana e trajnerit Urs Fishër. Edhe dje, ai ka postuar në rrjetet sociale një foto përkrah Taulant Xhakës, me nënshkrimin: “I lumtur pas ditës së parë të stërvitjes në vitin 2016”. Megjithatë, menaxherët e tij janë vënë në kërkim intensiv të një klubi të ri, duke diskutuar ofertat e ndryshme që i kanë mbërritur. Destinacioni më i mundshëm duket Seria A, ku pas Fiorentinës dhe Veronës, në listën e ekipeve që kërkojnë shërbimet e tij është shtuar edhe Atalanta. Ky klub i ofron menjëherë mundësinë e aktivizimit titullar, pasi është në kërkim të një sulmuesi krahu, rol në të cilin Gashi ka shkëlqyer në dy edicionet e kaluara duke u shpallur golashënuesi më i mirë në Zvicër.